Ministria e Bujqësisë: Tregu ushqimor i sigurt
Tregu i ushqimeve në vend është plotësisht i sigurt. Këtë garanton Ministria e Bujqësisë. Sipas këtij dikasteri, pavarësisht zërave që qarkullojnë përmes strukturave dhe inspektorëve të kontrollit, janë shtuar masat dhe vigjilenca në treg për të siguruar konsumatorët për produktet ushqimore që konsumojnë. "Nuk qarkullojnë as ushqime të skaduara dhe as të ndotura", pohoi zyrtarisht Ministria e Bujqësisë. Nisur nga informacioni i tregut ndërkombëtar që pushtoi gjithë opinionin publik mbi problemet e sigurisë shëndetësore me qumështin e prodhuar në Kinë, Ministria e Bujqësisë bën me dije se janë kontrolluar qumështi dhe ushqime të tjera, me bazë ushqimore. Kështu, në datën 25 shtator, inspektorati ushqimor bllokoi në shkallë vendi gjithë sasinë e qumështit "Milk Panda", të importuar nga Kina, që gjendej në magazinat e kompanisë shqiptare importuese, si dhe në magazinat e Doganës shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare të dikasterit të Bujqësisë, gjatë vitit 2008 janë importuar nga Kina në Shqipëri, 139 tonë qumësht "Milk Pana", e cila tashmë është bllokuar nga MBUMK. Analizat e këtij produkti janë dërguar në Itali dhe sipas ekspertëve të ministrisë, rezultatet e tyre do të diktojnë veprimet e mëtejshme me qumështin e bllokuar nga Inspektorati i Ushqimit.