ZMK protestë për mungesën e WC-ve publike
Disa dhjetëra qytetarë të Tiranës iu bashkuan dje protestës së Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve për zhdukjen e disa shërbimeve publike në kryeqytet, në emër të krijimit të hapësirave të gjelbërta. Përfaqësuesit e kësaj organizate vendosën oturakë përpara Bashkisë së Tiranës, për të evidentuar mungesën e ËC-ve publike. Protesta vjen një ditë pas deklaratës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për rritjen e hapësirave të gjelbërta e publike në Tiranë. "Ky është një demonstrim qytetar, një pjesë e reagimit të shoqërisë civile, kundër zhdukjes së hapësirave publike në kryeqytet", tha kreu i ZMK, Altin Goxhaj. Sipas tij, hapësirat e gjelbërta janë domosdoshmëri, por jo në dëm të hapësirave publike, të cilat Bashkia e Tiranës duhet t'i miradministrojë në dobi të konsumatorëve. I menjëhershëm ishte reagimi i nënkryetarit të Bashkisë, Eduard Shalsi: "Nuk është koha e banjove publike, por e atyre kimike. Është për të ardhur shumë keq që Ilir Meta në vend të mbrojë të drejtat e konsumatorëve siç pretendon, shfaqet për të mbrojtur ndërmarrjen-parti private të Metës", tha Shalësi.