E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, 5 mijë lekë gjobë bizneseve që nuk e varin licencën në mur



Nëse një biznes i vogël nuk do të afishojë certifikatën e regjistrimit në organet tatimore me gozhdë në mur, ai dënohet me gjobë 5000 lekë. Një sanksion i tillë është përcaktuar në projektin më të ri për ndryshimin në Ligjin "Për sistemin e taksave vendore", i dorëzuar në komisionet parlamentare. Në këtë ligj shtohet një tjetër taksë. Ajo për mosafishimin apo mosparaqitjen e certifikatës së regjistrimit që bizneset e vogla kanë bërë në organet tatimore. Këto ndryshime janë në kuadër të paketës për kundërvajtjet administrative dhe dënimet përkatëse të pothuajse të gjitha ligjeve që rregullojnë tatimet dhe taksat në vend. Ndryshimet rregullojnë masat shtrënguese për dënimet ndaj shkeljeve të bëra. Vetëm pak kohë më parë, në projektligjin për procedurat tatimore u sanksionuan marrëdhëniet e reja ndërmjet biznesit dhe tatimeve. Paketa e re ligjore e procedurave tatimore, u shoqërua me gjoba deri në ndjekje penale ndaj subjekteve të biznesit, të cilat nuk i binden ligjit. Në projekt u theksua se gjobat e vendosura për shkelje tatimore administrative mund të hiqen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, kur moszbatimi i legjislacionit tatimor është shkaktuar nga fatkeqësi natyrore, siç mund të jetë vdekja, ose një sëmundje e rëndë e tatimpaguesit. Ligji për procedurat tatimore ka ndryshuar shpesh së fundmi. I miratuar në vitin 1998, ai ka pësuar ndryshime të përvitshme dhe shpeshherë jo koherekte, të cilat e bëjnë atë jo të përshtatshëm për përdorim. Nga ajo periudhë deri më sot janë bërë ndryshime të mëdha në standardet e ndryshme, që kanë miratuar organizmat ndërkombëtare, lidhur me transparencën fiskale, përmirësimin e klimës ndaj biznesit, luftën kundër korrupsionit dhe evazionit, të cilat e bënë të domosdoshëm hartimin e një ligji të ri.

30 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›