Meta: Gati mbledhja e firmave të deputetëve për referendumin
Shaban Sulçe
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka deklaruar dje se tashmë ka startuar zyrtarisht nisma e LSI për mbledhjen e firmave të deputetëve të Kuvendit, për të firmosur kërkesën për Referendumin, që do të jetë në mbrojtje të Kushtetutës. Meta I ka bërë thirrje të gjithë deputetëve, që ti bashkohen kësaj nisme, për të kundërshtuar puçin kushtetues të 21 Prillit në Kuvendin e Shqipërisë. “Me këtë rast ju bëj thirrje të gjithë deputetëve të kuvendit t’i thërrasin ndërgjegjes së tyre, t’i thërrasin përgjegjësisë së tyre para qytetarëve që i kanë zgjedhur. Njëkohësisht ata të mos arsyetojnë ekonomikisht dhe vetëm për veten e tyre, por të gjykojnë politikisht dhe me përgjegjësi të madhe pasi puçi i realizuar në natën e errët të 21 Prillit, i cili ka sfiduar në mënyrë tinzare, të pabesë dhe të padrejtë vullnetin e popullit shqiptar të shprehur me referendum, ka përmbysur gjithë sistemin demokratik në vend, të gjitha parimet ku ishte ndërtuar Kushtetuta jonë si një Republikë Parlamentare”, tha MetaI cili u shpreh optimist për marrjen e reagimit pozitiv nga ana e deputetëve për këtë nismë të LSI që ka për synim mbrojtjen e Kushtetutës. “Unë nuk i kam humbur shpresat që do të ketë reflektim. Edhe shpresoj të ketë një reflektim, sepse kjo që ka ndodhur është shumë e rëndë dhe nuk është diçka që kalohet thjeshtë, nuk është diçka e cila mund të harrohet, nuk ka gjë më të rëndësishme për një vend dhe për një shtet sesa Kushtetuta”.
Letra për Ramën
Kryetari i LSI u shpreh se nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga ana e kryetarit të PS-së Edi Rama, për letrën që i kishte dërguar dy ditë më parë. Megjithatë Meta u shpreh se priste një reagim pozitiv nga ana e Ramës. “Nuk kam marrë ende ndonjë përgjigje. Shpresoj të ketë një reagim pozitiv, sepse ne kemi ofruar dhe një kompromis, sikurse ju e dini. Cili është kompromisi ynë? Kompromisi ynë është që, në kërkesën për referendum të mos vëmë sistemin zgjedhor, meqenëse zoti Rama e ka pasur për zemër këtë lloj sistemi, pavarësisht se ne kemi vërejtje parimore për sistemin”, vijoi ai. Meta shpjegoi edhe arësyen se përse i ishte drejtuar me letër kryetarit të PS-së Edi Rama. “Ne, në radhë të parë, mirëpresim një vullnet institucional, se po të ishte për të bërë një diversion ne u ishim drejtuar deputetëve të veçantë. Prandaj, unë i jam drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, edhe pse ai nuk është deputet, në mënyrë që ai të ndikojë tek grupi i vet parlamentar, që ata të nënshkruajnë këtë kërkese më se të drejtë dhe të ligjshme. Kemi kërkuar që këto ndryshime t’i verifikojë populli shqiptar, nëse janë apo nuk janë të drejta, sepse për Kushtetutën është shprehur populli shqiptar. Pra, në këtë drejtim, ne mirëpresim, në radhë të parë, një vendim institucional nga kjo forcë politike”, tha Meta.
Ruçi
I pyetur rreth deklaratës së kryetarit të Asamblesë së PS-së Gramoz Ruçi, i cili e cilësonte si të pamundur zhvillimin e referendumit 6 muaj para zgjedhjeve kreu i LSI-së tha: “Mendoj se z.Ruçi, i cili për fat të keq ka vite që mendon vetëm ekonomikisht dhe për fat të keq vetëm për veten e tij, ka shansin e fundit të gjykojë politikisht. Eshtë një spekullim kjo që ai ka thënë, sepse i referohet ligjit për referendumet për çështje të tjera. Për çështjen e amendimeve kushtetuese, Kushtetuta vetë është shumë e qartë, mjaftojnë 28 firma deputetësh që këto ndryshime të votohen në popull dhe brenda Qershorit referendumi është i realizuar dhe i bërë. Pra, gjithshka tjetër është mashtrim dhe spekullim, ashtu sikurse është një mashtrim i madh ajo qe thuhet se këto ndryshime kushtetuese janë bërë me këshillat e ndërkombëtarëve”, deklaroi Meta.
Gjinushi
Edhe Partia Social-Demokrate ka deklaruar se do të mbështesë LSI-në në nismën e saj për të organizuar Referendumin, në mbrojtje të Kushtetutës. Skënder Gjinushi, kryetari i PSD-së deklaroi dje se është e drejtë e popullit për të vendosur për zgjedhjene e Presidentit. Ai shtoi se PSD do të jetë në mbështetje të kërkesës së LSI-së për zhvillimin e Referendumit. “Mënyra e zgjedhjes së Presidentit, si një nga shtyllat e Kushtetutës dhe institucionet kryesore, është normale që ky amendament të mos ndryshonte pa u shprehur edhe populli për të. Ne do ishim gati që të mbështesinim kërkessën për referendum”, tha Gjinushi. Tashmë pas Aleancës Demokratike dhe Partisë Demokracia Sociale, edhe PSD ka dhënë mbështetjen për Referendumin në mbrojtje të Kushtetutës.
PS: Sistemi shëndetësor në Shqipëri, jashtë funksionit
Nënsekretari për Programin politik në Partinë Socialiste Ilir Beqja ka komentuar rastin e vdekjes tragjike të një vajze 17-vjeçare, duke fajësuar mosfunksionimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri. Beqja tha se sistemi shëndetësor paraqet probleme të mëdha në të gjitha nivelet. “Sistemi shëndetësor në Shqipëri nuk funksionon. Nuk funksionon në asnjë komponent të tij, as në parandalim, as në diagnostikim, as në kurim dhe as në rehabilitim. Nuk funksionon as shërbimi parësor dhe as shërbimi spitalor. Nuk funksionon as sistemi publik dhe as sistemi privat.
Ka tri vjet që dëgjohen parulla për reformimin e shëndetësisë, për shmangie të konfliktit të interesit, etj, etj, por që kemi sot një sistem shëndetësor joformal, të pabarabartë, të padrejtë, të pabesueshëm dhe të paadministruar”, tha Beqja. Ai u shpreh se PS kërkon vënien para përgjegjësisë së shkaktarëve të vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, ndërsa shtoi se në programin e ri të PS, shëndetësia do të jetë një prioritet. “Partia Socialiste mbështet vënien para përgjegjësie të kujtdo që është përgjegjës për vdekjen e Matildës, por nuk demonizon të gjithë trupën e mjekëve.
Në programin e ri të Partisë Socialiste, në qendër të reformës do të jetë mjeku. Ne e vlerësojmë partneritetin publik-privat, por jo në mënyrën e rëndomtë si po shfrytëzohet deri tani, ku edhe batanijet po lahen më rrallë se kur lavanteria ishte publike. Shteti duhet të garantojë rregullimin ligjor, licensimin si dhe mbikëqyrjen e shërbimit shëndetësor privat”, tha Beqja.
30 Prill 2008