E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI nis mbledhjen e firmave për referendumin

Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur dje mbledhjen e firmave të deputetëve për referendum.

aristir lumezi

Gjatë seancës së djeshme parlamentare, deputetët e LSI-së kanë kontaktuar deputetë të majtë dhe të djathtë që të firmosin për referendumin. Mësohet se deri mbrëmë vonë kanë firmosur rreth 20 deputetë të kaheve të ndryshme. Ndërkaq, dje paradite, kreu i LSI-së, Ilir Meta, i bëri thirrje edhe atyre deputetëve që votuan pro ndryshimeve kushtetuese që të hedhin firmën e tyre për t'ia lënë popullit ndryshimet e Kushtetutës. "Deputetët t'i bëjnë thirrje edhe njëherë tjetër ndërgjegjes së tyre, që të mos shkelin mbi ato vota që i kanë sjellë ata në Parlament, dhe mbi ato vota që u dhanë për atë Kushtetutë që populli shqiptar ka votuar në 1998, dhe për ato vota që u dhanë kundër asaj Kushtetute që kërkoi Berisha në '94 dhe populli e rrëzoi, e cila në natën e 21 prillit Berishës i jepet në tavolinë", tha Meta. Duke analizuar atë që ndodhi më 21 prill në Parlament dhe me ndryshimet e mëdha që pësoi Kushtetuta, Meta tha se 115 deputetë të Kuvendit i dhanë imunitet të pakufizuar Sali Berishës pas Gërdecit. "Çfarë imuniteti mund të ketë një deputet këtu? Çfarë imuniteti mund të ketë kushdo në këtë vend, kur për tri orë, 115 deputetë kapen dhe votojnë me papërgjegjshmërinë më të madhe për të përmbysur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dhe bëhet kjo përmbysje e Kushtetutës për t'i dhënë imunitet të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë Sali Berishës, përgjegjës kryesor për masakrën e Gërdecit, pikërisht në momentin kur e gjithë bota i ka vënë gishtin si fajtor, që nga gazetat 'Nju York Times', 'Uashington Post' dhe kudo në të gjithë botën", tha Meta. Sipas tij, me këto ndryshime, vendi është kthyer në një republikë berishiane. "Tashmë jemi në një Republikë Parlamentare, në një Republikë Berishiane, jo thjeshtë të Sali Berishës, por gjithë modelit që ky njeri përfaqëson në politikën shqiptare. Pra, përfaqëson modelin e autoritarizmit, të arbitraritetit, të papërgjegjshmërisë dhe tani edhe të korrupsionit deri në vrasje, sikurse është rasti i Gërdecit", u shpreh Meta. Dy ditë më parë, Meta i dërgoi një letër kryetarit socialist, Edi Rama, në të cilën i kërkonte që deputetët socialistë të reflektonin duke firmosur për referendumin për Kushtetutën. Meta tha dje se ende nuk ka marrë asnjë reagim nga kreu socialist. "Nuk kam marrë ende ndonjë përgjigje. Shpresoj të ketë një reagim pozitiv, sepse ne kemi ofruar dhe një kompromis, sikurse ju e dini. Cili është kompromisi ynë? Kompromisi ynë është që, në kërkesën për referendum të mos vëmë sistemin zgjedhor, meqenëse zoti Rama e ka pasur për zemër këtë lloj sistemi, pavarësisht se ne kemi vërejtje parimore për sistemin. Të mos e vëmë sistemin zgjedhor. Le të rrijë sistemi zgjedhor, ashtu siç është, sepse për ne nuk ka ndonjë problem", tha Meta.
Por kreu i LSI-së i cilësoi spekulime deklaratat e socialistëve, se ndryshimet kushtetuese i kanë miratuar edhe ndërkombëtarët. "Është mashtrim dhe spekulim, ashtu sikurse është një mashtrim i madh ajo që thuhet se këto ndryshime kushtetuese janë bërë me këshillat e ndërkombëtarëve. Absolutisht, kjo është krejtësisht e pavërtetë, sepse ju e dini shumë mirë se Kushtetuta e vitit 1998, është bërë me ekspertizë të posaçme ndërkombëtare, evropiane dhe në veçanti me atë të Komisionit të Venecias, që është institucioni më i specializuar", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›