Biznesi kundër rritjes së taksës për karburantet
12/07/2011 Komuniteti i biznesit u njoh me paketën e re fiskale të Ministrisë së Financave. Përfaqësuesit e biznesit kundërshtuan rritjen e taksës për karburantet, e cila do të godasë prodhimin vendas. Sipas Presidentit të BusinessAlbania, Luan Bregasi, me të vërtetë ulet akciza e birrës, por njëkohësisht rritet akciza e solarit dhe mazutit, dy lëndë të para që do ta rrisnin koston e prodhimit të birrës, pasi skema e rimbursimit të akcizës nuk funksionon si duhet. Z. Bregasi tha se politikat nxitëse duhet të ndërmerren nga Ministria e Ekonomisë dhe jo nga Financat. Ndërsa, kreu i DHTI-së, Nikolin Jaka, tha se çmimi i një litri karburant sot ka arritur në 1.180 lekë. “Nuk e di se kë duhet të konkurrojmë, ndërkohë që fqinjët tanë kanë çmime më të lira”, - tha Jaka. Paketa fiskale përbëhet nga tre drafte kryesore, që ndryshojnë taksat e automjeteve të përdorura, ato të karburanteve, akcizën e birrës dhe lëndët e para për fasonin. Zëvendësministri Alfred Rrushaj tha se paketa e re fiskale ul barrën mbi biznesin. “Industritë prodhuese duhet të mos kenë kosto, ndaj mbi bazën e disa rishikimeve që janë bërë, në ligjin për akcizën është propozuar rimbursimi automatik i kostove që do të vijnë nga rritja e disa kostove për lëndë djegëse”, - tha Rrushaj. Zëvendësministri i Ekonomisë, Enno Bozdo, tha se më 1 gusht 2011 hyn në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë, duke mundësuar import të lëndëve të para për veshjet pa tarifë doganore nga vendet e BE-së dhe vendet e marrëveshjes së Mesdheut.