Biznesi, lobing në Parlament me 10 deputetë
Të paktën dhjetë deputetë nga forca të ndryshme politike vijnë nga komuniteti i biznesit. Nisur nga rezultati i zgjedhjeve, prezenca e sektorit privat në Parlament është rritur tej mase dhe për këtë shkak biznesi do të lobojë fort në interes të qëllimeve të tij. Një nga aktorët kryesorë në mbrojtje të biznesit është Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, me kryetar Gjokë Uldedaj, i sapomandatuar deputet i PD-së. Duke marrë për bazë raportin e fundit të Bankës Botërore, "Doing business 2010", që e rendit Shqipërinë 7 pozicione më lart se një vit më parë, Dhoma e Tiranës thekson se ka ende punë për të bërë në drejtim të vijimit të reformave. "Reformat duhet të vazhdojnë, dhe është kjo arsyeja që ne, si institucion që mbështesim dhe promovojmë biznesin, e inkurajojmë qeverinë në këtë drejtim, duke i ofruar mbështetjen, eksperiencën dhe mendimet tona, që fryma e reformave të vazhdojë në kohezion me atë të zhvillimit të biznesit", deklaroi dje Dhoma e Tregtisë së Tiranës. Këto reforma, vijon deklarata, do të çojnë dhe në zgjidhjen e disa problemeve, si procedurat e liberalizimit të lejeve të ndërtimit, mënyrën e pagesës së taksave, handikapet ligjore mbi falimentimin dhe procedurat e sakta mbi mbylljen e biznesit. "Në kushtet e sotme, ku në jetën parlamentare ka një përfaqësim të ri të biznesit në cilësi dhe në numër, prezenca e përfaqësuesve të biznesit në komisionet parlamentare dhe vendimmarrëse në Kuvend do të krijojë lobingje më të forta dhe solide", përfundon qëndrimin Dhoma.