E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmet në detin Jon, dridhet Jugu

Donte edhe 6 minuta të plotësohej ora e parë e ardhjes së ditës së premte, kur Saranda është tronditur nga një lëkundje tërmeti, që është ndier më e fuqishme nga sa regjistruan aparaturat e stacionit sizmologjik në këtë qytet. 54 minuta pas mesnate toka është dridhur fort, sa kanë qenë të shumtë klientë që ende qëndronin në disa lokale shërbimi, por edhe ata që të ndodhur në banesat e tyre, ende nuk i ishin drejtuar shtratit.
Në sektorin e emergjencave civile në nënprefekturën e Sarandës, inspektori Robert Lala tha se nga komunikimi me Qendrën Sizmologjike në Tiranë, me të cilat janë të lidhura online aparaturat e stacionit të Sarandës, është konfirmuar se intensiteti i goditjes nga tërmeti ka qenë regjistruar 3.6 ballë të shkallës Rihter. Sipas tij, epiqendra e tërmetit të orës 00.54 të ditës së djeshme mendohet të ketë qenë në detin Jon, ndërkohë që mësohet se intensiteti i goditjes është ndier edhe në rajonin e Gjirokastrës, deri në Tepelenë. Nga komunikimi i sektorit të emergjencave civile në nënprefekturën e Sarandës me bashkitë e Sarandës, Delvinës dhe Konispolit, si edhe me komunat, Lala thotë se nuk janë regjistruar dëme materiale dhe as lëndime njerëzish, përveç reagimit duke dalë jashtë banesave të disa familjeve me banim në ndërtesa ku lëkundja u ndie më e fortë. Informacionet më të fundit që vijnë nga Komuna e Lukovës flasin për plasaritje të dukshme në 5-6 banesa të vjetra në fshatin Piqeras të kësaj komune. Ka qenë e pritshme që shirat e para të vjeshtës të shoqëroheshin edhe nga lëkundje tërmeti, por fakti që intensiteti i këtyre lëkundjeve ka qenë relativisht i fortë, por i regjistruar vetëm 3.6 ballë, ka ngjallur dyshime se mos në ditët apo netët që vijnë goditja përsëritet edhe më e fortë. Mjaft ndërtime të kohëve të fundit në Sarandë janë vënë në pikëpyetje për mundësinë e përballimit të goditjeve të forta sizmike, për shkak të cilësisë së ulët të betonit të përdorur në to, e faktuar kjo edhe nga analizat e kryera në laboratorin e materialeve të ndërtimit në Sarandë, me kërkesën e qytetarëve që kanë blerë apartamente në disa prej tyre. Këtë shqetësim nuk ka mundur ta zvogëlojë sadopak komunikimi me Qendrën Kombëtare Sizmologjike në Tiranë, për mundësinë e ulët të parashikimit prej saj nëse lëkundja e djeshme ka gjasa të përsëritet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›