Tërmeti i 6 shtatorit
Tërmeti më i fortë i këtij viti u regjistrua më 6 shtator në rrethin e Bulqizës. Tërmeti i rënë pak para mesnatës së të dielës së 6 shtatorit kishte një magnitudë prej 5.4 ballësh të shkallës Rihter me epiqendër në fshatin Gjoricë, të komunës me të njëjtin emër në rrethin e Bulqizës. Nga ky tërmet pati vetëm disa të plagosur lehtë, ndërkohë që dëmet materiale ishin të konsiderueshme në Komunat Gjoricë, Shupenzë dhe Zerqan të Bulqizës. Mijëra banorë të këtyre zonave jetojnë ende jashtë shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, në pritje të ndihmës financiare nga qeveria për riparimin dhe rindërtimin e banesave.