Prifti, dita e parë e punës nis me shqetësimet e biznesit
Të parën dalje publike si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti e pati me komunitetin e biznesit, si partneri kryesor në zhvillimin e vendit. Takimi u zhvillua dje në ambientet e Dhomës Amerikane të Tregtisë, mes ministrit të Ekonomisë dhe drejtuesve më të lartë të "AmCham". Filip Bay i kërkoi ministrit të Ekonomisë më shumë mundësi për dialog konstruktiv dhe mori prej tij premtimin se për çdo çështje të rëndësishme që do të ketë biznesi, dhe në veçanti Dhoma Amerikane e Tregtisë, ai do të gjejë kohën për të organizuar një takim brenda 24 orëve. Prifti bëri të njohur përpara shtypit programin e ministrisë që ai do të drejtojë gjatë këtij mandati. "‘Albinvest‘, nga një agjenci për promovimin e biznesit, do të kthehet në një agjenci ‘one stop shop‘ në shërbim të investitorëve të huaj. ‘Albinvest‘ do të kthehet në një sportel të vetëm për të gjitha problemet që nga marrja e lejes e deri te çdo autorizim i mundshëm që do të ketë nevojë biznesi i huaj", tha Prifti. Jo vetëm kaq, por brenda dy vjetëve pritet që të hapet për herë të parë Bursa e Tiranës, e cila do t‘i vijë mjaft në ndihmë biznesit vendas dhe atij të huaj. "Bursa do t‘i vijë mjaft në ndihmë biznesit dhe do t‘u japë vlerë investimeve të kryera", tha ministri i Ekonomisë. Drejtuesit e Dhomës Amerikane kanë shprehur shqetësimin se vazhdimisht kalojnë për diskutim në Këshillin Konsultativ çështje për të cilat biznesi informohet vetëm dy ditët e fundit dhe formalisht. "Më keq akoma dhe për çështje të cilat ka pasur komente të forta nga biznesi, duket se ligji nuk i reflekton dhe ato kalojnë në qeveri pa i marrë parasysh", tha Faber.