Kanceri i gjirit, diagnostikim që në madhësinë 5 mm
Rriten shpresat për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit edhe në vendin tonë. Kjo do të bëhet e mundur falë aparaturës së re të mamografisë dixhitale, që është instaluar dje në Shërbimin Onkologjik, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Edhe më e nevojshme bëhet përdorimi i kësaj aparature, po të kemi parasysh faktin se numri i femrave të prekura nga kanceri i gjirit në vendin tonë, gjatë dy dekadave të fundit, po rritet në mënyrë të frikshme. Shifra flasin për 500 raste të reja çdo vit, ndërkohë që diagnostikimi i hershëm i sëmundjes është e vetmja mënyrë për shërimin e saj. Ky fakt bëhet i ditur edhe nga shefi i Shërbimit të Onkologjikut në QSUT, Agim Sallaku, i cili ka pohuar se gjatë këtyre viteve të fundit, numri i rasteve me tumore në gji është rritur ndjeshëm. Sipas tij, ardhja e kësaj aparature, e cila bën të mundur diagnostifikimin e sëmundjes që në stadet e para, do të na mundësojë uljen e vdekshmërisë deri në 30-35 për qind. “Sot ne numërojmë 450, deri në 500 raste të pacienteve të prekura nga kanceri i gjirit. Në këto dy dekada, shifrat janë rritur ndjeshëm, duke sjellë deri në dyfishim të tyre. Kjo aparaturë do të na mundësojë diagnostikimin e saj, që kur tumori shfaqet në madhësinë e 5 mm”, - ka pohuar Sallaku. Ndërsa, sipas specialistëve të Radiologjisë, aparatura do të bëjë të mundur edhe marrjen e biopsisë, që në momentin e kryerjes së ekzaminimit, me anë të një shiringe. Një tjetër risi është edhe heqja e tumoreve të vegjël, deri në një centimetër, duke u thithur nga kjo shiringë. Ndërsa përsa i përket kapacitetit të aparaturës së re, specialistët e QSUT-së kanë bërë të ditur se mamografia e re mund të kryejë deri në 20 ekzaminime në ditë, aq sa është edhe fluksi i pacientëve që i drejtohen këtij spitali. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, së bashku me drejtorin e QSUT-së, Saimir Ivziku kanë inauguruar dje mamografinë e parë dixhitale në vendin tonë. “Kjo aparaturë është fjala e fundit e teknologjisë, e prodhuar në vitin 2010, e cila pritet të rrisë numrin e diagnostikimeve me kancer gjiri. Ky nuk do të jetë i vetmi investim për spitale, pasi edhe katër aparatura të tjera do të instalohen në spitalet e rretheve. Lidhja e tyre edhe me telemjekësinë do të bëjë të mundur konsultat e mjekëve të spitaleve rajonale, me specialistët e Onkologjikut. Kjo do të sjellë edhe uljen e numrit të pacientëve në këtë shërbim”, - ka pohuar ministri i Shëndetësisë. Ndërsa drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, ka pohuar se në institucionin që ai drejton, të tjera investime të rëndësishme janë duke u kryer në aparatura dhe kjo do të bëjë të mundur një diagnostikim sa më të saktë. “Tashmë pacientët nuk kanë nevojë të shkojnë jashtë për të marrë një shërbim, pasi falë këtyre aparaturave ne do të ofrojmë gjithçka për shëndetin e tyre”, - ka pohuar Ivziku. Kanceri i gjirit nё Shqipëri ёshtё njё nga shkaktarët kryesore tё vdekshmёrisё. Ardhja e aparaturave tё mamografisё dixhitale ёshtё bёrё e mundur nga njё projekt i financuar nga Banka Botёrore.