E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi prapë sherr me tatimorët

08/02/2005  Tatimet

Biznesi ka akuzuar për abuzim me llogaritjen e tatimeve Petrollari u ka kujtuar pjesën e evazionit fiskal

Biznesi vazhdon të jetë i pakënaqur, edhe pse Paketa Fiskale ishte më e mira e llojit të vet. Por vetëm pak ditë nga aplikimi i saj dhe disa “hile” të vogla, e kanë bërë biznesin e madh të ankohet deri te ministri i Financave. Kjo ka bërë që kreu i Tatimorëve, Adrian Petrollari, të ulet edhe njëherë në tavolinë me ta për të çuar në vend urdhrin e ministrit, për të përmirësuar me çdo kusht klimën me biznesin. Por gjatë takimit në tryezën e rrumbullakët, nuk kanë qenë vetëm biznesmenët që janë ankuar, por dhe Petrollari ka rreshtuar ankesat e veta.

“Biznesi nuk ka akoma atë nivel vetëdeklarimi që ne të heqim filtrat burokratikë për të vendosur të tjera raporte të lirisë dhe moskontrollit për aktivitetet e tyre”, ka deklaruar Petrollari, duke thënë hapur se biznesi vazhdon të fshehë të ardhurat dhe është fajtor për evazionin fiskal. Për Petrollarin, procesi i pëmirësimit të paketës fiskale dhe sistemit tatimor, duhet të jetë një debat i gjatë dhe konstruktiv, dhe nuk duhet të karakterizohet nga nota nervozizmi. Ndërkaq, biznesi ka patur të shkruar në letër disa kërkesa, për të cilat kërkon zgjidhje të menjëhershme, duke filluar nga llogaritja e tatimit mbi fitimin. “Ashtu si dhe në vitin e kaluar, llogaritja e parapagimit të tatimit mbi fitimin për 2005-ën është bërë në mënyrë të paargumentuar nga ana e tatimorëve dhe biznesit të madh, të vogël dhe të tatimpaguesve të mëdhenj”, ka deklaruar gjatë fjalës së tij, Luan Bregasi, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Për Bregasin, kjo është një shfaqje e hapur e abuzimit që tatimorët kanë bërë me ligjin, duke eliminuar edhe atë ulje që u përfitua nga Paketa Fiskale. “Nga njëra anë ulen tarifat e tatim-fitimit dhe nga ana tjetër rritet arbitrarisht niveli i parapagimit të këtij tatimi”, tha Bregasi. Llogaritja e tatim-fitimit ka qenë shkaku që ministri Malaj urdhëroi ndryshimin e praktikës së punës dhe llogaritjes, mbështetur në udhëzimet që ka përcaktuar ligji. “Këto qëndrime çojnë në rrezikun e shtyrjes së tatimpaguesve për gjetjen e rrugëve të tjera jo ligjore për ‘zbutjen’ e pasojave dhe shkatërron edukatën fiskale të tatimpaguesve”, ka deklaruar në lidhje me këtë fakt, Bregasi. Tatim-fitimi dhe llogaritja e tij, nuk ka qenë i vetmi problem i tatimorëve. Sipas biznesit, ka ende mjaft raste të moszbatimit të kërkesave të ligjeve tatimore, përfshirë dhe ato të paketës së re nga ana e organeve tatimore, për shembull, në lidhje me afatet e rimbursimit të TVSH–së, të kthimit të tatimeve të paguara tepër, të moszbatimit të vendimeve të marra nga Komiteti i Apelimit Tatimor. Ndërkaq, biznesi i ka propozuar Petrollarit, që të shpërndajë në mënyrë homogjene tatimet, jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethet e tjera, në mënyrë që të ardhurat e buxhetit të mosrealizohen vetëm nga disa biznese. “Ne e dimë që ka një plan-buxheti që duhet ta përballojmë, por na duket më e arsyeshme që atë ta përballojë i gjithë biznesi dhe jo vetëm disa në Tiranë”, tha Bregasi. Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë, bizneset që paguajnë tatimet janë interesuar për zgjidhjen e problemit të llogaritjes së taksave apo rimbursimit të TVSH-së, sepse për të tjerët që janë pjesë e informalitetit, këto çështje nuk kanë asnjë rëndësi.

Llogaritja e tatim-fitimit, ku qëndron problemi

Ligji parashikon që deri në datën 31 mars, bizneset duhet të paraqesin pasqyrat financiare dhe bilancet kontabël, të cilat kontrollohen nga ekspertët tatimorë, duke u mbështetur dhe në librin e xhiros. Mbështetur në të ardhurat e realizuara një vit më parë si dhe në mesataren e normës së fitimit të paguar në muajin e fundit, përcaktohet norma e taksës së tatim-fitimit, e ndarë sipas muajve. "Shuma përcaktohet për çdo njërin nga muajt janar, shkurt, mars e prill të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të dy viteve më parë, pjesëtuar me 12”, thuhet shprehimisht në ligjin për tatimet. Por, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk e ka respektuar këtë pikë të ligjit, duke caktuar para kohe normën e fitimit dhe taksën që duhet të paguajnë bizneset. Kjo ka bërë që në vend që të ndihet një ulje 2 për qind e taksës, të ketë një rritje të paktën 15 për qind të vlerës në muajin e parë të këtij viti. Pikërisht ky paracaktim aforfe i taksës është quajtur abuzim, jo vetëm nga bizneset, por dhe nga ministri i Financave, i cili jo vetëm që ka shkarkuar përgjegjësinë mbi tatimorët, por dhe ka nxjerrë një listë të gjatë me urdhra, të cilat duhet të kihen parasysh nga tatimorët që këtej e tutje. Gjithsesi, ankesat e biznesit janë përplasur në derën e Malajt, i cili është numri 1 i financave.

Pse është i pakënaqur biznesi

Llogaritja e paargumentuar e tatim-fitimit për biznesin e madh, nga njëra anë ulet tatim-fitimi, nga ana tjetër rritet arbitrarisht niveli i pagimit të këtij tatimi

Nuk zbatohet nga ana e tatimorëve paketa e re fiskale në lidhje me rimburisimin e TVSH–së për tatimet e paguara tepër dhe nuk zbatohen vendimet e Komitetit të Apelimit Tatimor

Në udhëzimet sqarohet se si do të veprohet për shpërndarjen e deklaratave tatimore mujore tatimpaguesve, duke e bërë kështu praktikisht të pavlefshëm rregullimin e bërë në Paketën e 2005-ës

Çfarë përfitoi biznesi në 2005-ën

Ulja e tatimit mbi fitimin nga 25 në 23 për qind

Ulja e tatimit për biznesin e vogël nga 4 në 3 për qind

Ulja e nivelit të disa tarifave doganore të akcizave

Ulja e taksës për mjete motorike në bujqësi

Njohja e firove, dëmtimeve dhe skarcove

Vendosja e interesave për organet tatimore, kur nuk kthejnë tatimet në kohë

Heqja e regjistrimit të biznesit të vogël çdo vit

Shpërndarja pa kuhste e deklaratave tatimore mujore një herë në gjashtë muaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›