Specialistët sqarojnë strategjinë
08/02/2005 Drejtori i Institutit të Punës në BSPSH-së, prof. Ilia Telo, një ndër ekspertët pjesëmarrës, në grupin e ngritur me vendim qeverie në vitin 2000, për llogaritjen e minimumit jetik, gjatë takimit me përfaqësuesit e LSI-së evidentoi faktin që në Shqipëri akoma nuk është shpallur minimumi jetik zyrtar. Gjithashtu, ai theksoi se kjo çështje është kthyer në një instrument politik. Ai u shpreh se "minimumi jetik është dhe një mjet për të matur shkallën e varfërisë së një vendi dhe rritja e tij duhet të jetë synim për përmirësimin e mirëqenies në shkallë vendi”. Referuesi i dytë kryesor për strategjinë e pensioneve ishte prof. Isa Gorrica, president i Sindikatës së Pensionistëve, i cili prezantoi diskriminimin që i është bërë pensionistëve, sidomos atyre që kanë dalë në pension para viti 1993 dhe u shpreh se nuk është e mjaftueshme puna që ka bërë deri tani qeveria për ngushtimin e diferencave ndërmjet pensioneve para dhe pas vitit 1993. Ai, gjithashtu, prezantoi edhe trajtimin që iu bëhet pensionistëve në disa prej vendeve të Evropës Juglindore. Ndërkaq edhe pjesëmarrësit e tjerë, mjaft të interesuar në diskutimin e zhvilluar, shprehën vlerësimin e tyre për këtë iniciativë të LSI-së për uljen dhe dialogimin me partnerët socialë dhe shprehën besimin se në këtë mënyrë do të zgjidhen shumë nga problemet që shqetësojnë ata.