E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa e PDR. Afroni zgjedhjet

08/02/2005  Gjergji Koja: Për ndarjen zonale do të paraqesim projektin tonë dhe do ta votojmë

Berisha akuzon kryesocialistin për pengesat në reformat elektorale

Grupi parlamentar i PDR-së ka paraqitur amendamentin për të afruar datën e zhvillimit të zgjedhjeve në muajin qershor. Sipas Nard Ndokës, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen në një muaj pushimesh, ndaj ata kanë sjellë si alternativë zhvillimin e votimeve në mesin e muajit qershor. Ndoka ka kërkuar që si pikë referimi të mos merret mbarimi i mandatit të parlamentit, por data e zgjedhjeve të vitit 2001, që është data 4 gusht. Paraqitja e amendamentit ka ardhur dhe nga fakti se kreu i shtetit, duke iu referuar Kushtetutës, ka vendosur si afatin minimal të zhvillimit të votimeve datën 3 korrik. Megjithatë, Presidenti ka theksuar se është dakord që zgjedhjet në jenë në muajin qershor, në rast se do të ndryshohen nenet e kodit elektoral. Ndërkohë që partitë e opozitës kërkojnë afrimin e datës së zgjedhjeve, dje Partia Socialiste nuk ka pranuar ndryshimet në hartën elektorale. PS ka vendosur që t'i pararaqesë parlamentit variantin e propozuar prej ekspertëve të saj, i cili nuk ndryshon shumë nga ndarja zgjedhore aktuale. Asnjë prej varianteve të propozuara nuk ka bindur socialistët që të ndërrojnë mendje dhe të pranojnë konsensusin për ndryshimin e hartës zgjedhore. Gjergji Koja, zëdhënësi politik i PS-së, deklaroi se nuk do të ketë rishikim të kodit elektoral për zonat zgjedhore, por do të prezantohet në parlament varianti i paraqitur nga ekspertët Sherifi dhe Bufi, pranë OSBE-së. "PS u prononcua shumë qartë me anë të përfaqësuesve të saj, lidhur me mundësinë e rishikimit të Kodit Zgjedhor dhe paraqiti qartë 3 alternativat, ku do të bazohet varianti i PS-së. Janë tre standarde, Kushtetuta e Shqipërisë, Kodi Elektoral dhe Kodi i Praktikave të Mira, jashtë të cilave ne nuk mund të lëvizim dot. Bashkohen apo jo qarqet, kjo shikohet nga këto tre standarde", tha Koja. Vetëm një ditë më parë, Elmaz Sherifi, një nga ekspertët e PS-së, në grupin e posaçëm të punës, deklaroi se është PD-ja që duhet të heqë dorë nga pretendimet e saj, që konsistojnë në shkrirjen e dy zonave elektorale në Vlorë, dhe një zone në Berat, për t'i shtuar më pas dy zona elektorale Tiranës dhe një Dibrës. Socialistët teksojnë se nuk janë pretendimet e partive, por janë kriteret që vendosin.

Opozita

Por dhe përfaqësuesit e opozitës nuk kanë pranuar që të tërhiqen nga vendimet e tyre. Në këtë situatë, përfaqësuesit e BE-së kanë shprehur shqetësimin për zgjedhjet parlamentare. Për bllokimin e procesit të ndarjes zonale, demokratët kanë fajësuar Kryeministrin Fatos Nano. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha dje, në mbledhjen e Grupit parlamentar, se Kryeministri po përpiqet të prishë procesin zgjedhor në vend dhe se po sulmon institucionet ndërkombëtare të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, demokratët deklarojnë se për ndarjen zgjedhore do të pranojnë vetëm variantin e OSBE-së. "Fatos Nano sërish në përpjekjet e tij të fundit, si i mbyturi që kapet pas fijes së barit, po përpiqet të prishë procesin zgjedhor dhe ka bllokuar ndarjen e zonave elektorale. Ndërsen zëdhënësit e tij kundër OSBE-së dhe duan t'i tregojnë kësaj të fundit mandatin. Kjo organizatë është e njohur nga 54 vende anëtare dhe një nga çështjet më kryesore është demokracia dhe zgjedhjet e lira", tha Berisha. Nga ana tjetër, kryetari i PD-së u shpreh se opozita do të japë kontributin e saj për të realizuar një proces të lirë dhe të ndershëm. "Sidoqoftë, ne jemi shumë të vendosur të japim çdo kontribut për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sikundër jemi të vendosur të rezervojmë fatin e janukoviçëve të gjithë atyre që kanë synim shkatërrimin e zgjedhjeve", tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›