Shtyhet afati i hetimit të tenderave
08/02/2005 Eshtë shtyrë për më 15 mars data e përfundimit të mandatit të Komisionit hetimor parlamentar për tenderat e Kryeministrisë dhe ministrive. Kryetari i këtij Komisioni, Ilir Bano, ka kërkuar dje në seancë plenare shtyrjen e afatit të mbarimit të punës së komisionit. Bano e ka justifikuar kërkesën e tij me vonesat në sjelljen e dokumentacionit pranë këtij komisioni. Komisioni parlamentar për hetimin e tenderave të Kryeministrisë dhe ministrive është ngritur me kërkesë të opozitës, pasi kjo e fundit pretendonte se është shkelur ligji në prokurimet e bëra në tenderat e zhvilluara nga institucionet qeverisëse. Afati i fundit i përfundimit të punës së komisionit duhej të ishte 24 shkurti i vitit 2005, por kryetari i këtij komisioni ka kërkuar sërish shtyrjen e punës deri më 15 mars të këtij viti. Kjo është shtyrja e parë që i bëhet afatit të përfundimit të punës së komisionit.