Raportohen shkeljet në punësimin në administratë
08/02/2005 Komisioni i Shërbimeve Civile ka raportuar dje në parlament aktivitetin e tij gjatë vitit 2004. Parlamentarët janë vënë në dijeni të shkeljeve të shumta që ndodhin çdo ditë në administratën publike nga drejtuesit dhe punonjësit. Vetëm për vitin 2004, ky komision ka regjistruar rreth 287 ankesa të ardhura nga denoncime të ndryshme. Pavarësisht se Statusi i Nëpunësit Civil ka rreth katër vjet që ka hyrë në fuqi në vendin tonë, ende nuk ka gjetur zbatimin e duhur në sistemet e punësimit. Problemet dhe ankesat më të shumta janë regjistruar në administratën qendrore, ku përqindja është dhe më e madhe, rreth 53 për qind. Administarata vendore ka 42 për qind të ankesave të përgjithshme për këtë problem, ndërsa 1.5 për qind janë ankesa që vijnë nga institucionet e pavarura. Në raport janë bërë publike dhe bashkitë, të cilat kanë regjistruar shkeljet më të shumta të Statusit të Nëpunësit Civil, në bashkitë Korçë, Dibër, Rrëshen, Peqin, Himarë, Berat, Kukës etj. Raporti ka regjistruar dhe 31 ankesa, që kanë ardhur pas zgjedhjeve vendore të 12 tetorit në shkallë vendi, ku është bërë ristrukturimi i administratës vendore.