Biznesi prodhues kërkon ndryshime për pagat e referencës
Konfindustria: Tatimet, gjoba bizneseve për pagat referuese
Biznesi, paketë propozimesh për ndryshime
Biznesi prodhues thotë se pagat referuese janë bërë një burim korrupsioni nga ana e punonjësve tatimorë. Sipas tyre, pagat e referencës në shumë raste është burim debati e konfliktesh mes tatimorëve dhe biznesit prodhues. Konfindustria ka denoncuar dje se janë shtuar rastet kur tatimet vendosin gjoba ndaj biznesit, pikërisht nga shmangia e referencave zyrtare, ndaj Konfindustra ka propozuar disa masa dhe pagat referuese që ata do mund të përballonin me qëllim që të mos lindnin konflikte mes biznesit e tatimeve
Drejtori administrativ i Konfindustrisë, Gjerjg Buxhuku, ka deklaruar dje për median se ky grupim i ka paraqitur zyrtarisht para disa ditësh qeverisë së Shqipërisë paketën e parë të kërkesave të saj, lidhur me përmirësimin e Sistemit të Referencave të llogaritjes së detyrimeve tatimore nga institucionet e fiskut. Konfindustria është shprehur në vazhdimësi në mënyrë të vendosur parimisht kundër Sistemit të Referencave dhe ka paralajmëruar se zbatimi i referencave do të jetë burim përplasjesh të panevojshme ndërmjet biznesit dhe shtetit. “Praktika tregoi se u prodhuan një numër mjaft i madh rastesh, të gjobitjesh të padrejtë të biznesit pikërisht nga shmangia e referencave zyrtare me të dhënat e tregut real. Pikërisht, mënjanimi sa të jetë i mundur i përplasjeve biznes-shtet është thelbi i qëllimit të propozimeve të Konfindustrisë për përmirësimin e domosdoshëm të Sistemit të Referencave, duke i qëndruar gjithmonë me bindje kundërshtimit në parim të referencave”, - ka deklaruar dje Buxhuku. Ndërkohë që ai ka paraqitur para medias një studim të kryer nga Konfindustria pranë disa kompanive.
Studimi ka përfshirë mbi 211 kompani të të gjitha llojeve të industrive dhe të shtrira në të gjithë hapësirën gjeografike të vendit. Pjesa e parë e studimit përmban kërkesat e unifikuara të Konfindustrisë lidhur me pjesën më problematike të zbatimit të Sistemit të Referencave, për Pagat e Referencës të hyra në fuqi me VKM nr. 285 dt. 4/05/2007. Praktika tregoi se ishin pikërisht Pagat e Referencës, që kanë prodhuar në praktikë numrin më të madh të përplasjeve ligjore biznes-shtet dhe penalizimeve përkatëse të industrive. Industria ushqimore, e pijeve alkoolike, joalkoolike dhe birrës me një numër të përgjithshëm prej mbi 20 mijë punonjësish përbëjnë pjesën e parë të paketës së propozimeve të Konfindustrisë për përmirësimin e pagave të referencës. Në përgatitje e sipër janë industria mekanike, transportit, minierave dhe të gjitha llojet e tjera të industrisë të pranishme në vend. Paketa e propozimeve të Konfindustrisë për Pagat e Referencës të Industrisë Ushqimore parashikon: - 1 ulje të nivelit të pagës referuese, - 2 nivele të pandryshuara dhe - 3 nivele ngritjeje për kategoritë më të dobëta të punonjësve. Sa më sipër flet qartë për profesionalizmin dhe vërtetësinë e propozimeve të Konfindustrisë në përafrimin e referencave me tregun real. Paketa e propozimeve të Konfindustrisë përmban për herë të parë parashikimin e shtrirjes gjeografike të industrisë ushqimore, ku tabela bazë e pagave të referencës është korrektuar me koeficiente 1, 0.9, 0.8 varësisht vendndodhjes. Konfindustria shpreh vullnetin të vazhdojë në rrugën e bashkëpunimit institucional të nevojshëm, sidomos në kushtet e vështira ekonomike, që po kalojnë tregjet kryesore ndërkombëtare me pasoja të pashmangshme sidomos në industritë shqiptare.
Paga më të larta për kategoritë më të dobëta
Konfindustria ka propozuar një paketë të re me pagat referuese, në të cilën propozon që kategoritë më të dobëta të kenë një pagë më të lartë se referuesja zyrtare, kjo për industritë ushqimore. Konfindustria kërkon që disa nga nivelet e pagave të përafrohen me shpërndarjen gjeografike të industrive ushqimore me përdorimin e koeficienteve korrektuese për rrethet Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Korçë, Shkodër, Gjirokastër - koeficienti 1, për rrethet Berat, Lushnjë, Shkodër, Pogradec, Krujë, Kavajë - koeficienti 0.9 dhe për rrethet e tjera të përdoret koeficienti 0.8. Këto propozime do të japin efekte pozitive sepse pagat e propozuara përputhen me realitetin e tregut të punës dhe janë propozuar në 3 raste rritje page, në 2 raste mosndryshim dhe në një rast ulje.
Duke propozuar rritje për kategorinë më të dobët, punëtorët e pakualifikuar realizojnë dy efekte pozitive: së pari, ndihmojnë kategorinë më të dobët, më të paguar keq dhe së dyti, duke qenë kategoritë e propozuara për rritje që janë punëtorët dhe teknikët në borderotë e firmave private zënë mbi 70% të të punësuarve do të përfitojnë rritje të arkëtimeve nga kontributet e sigurimeve shoqërore.