E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e Bleona Matës, dëshmitë kontradiktore të familjarëve



KUKËS - Ende asnjë gjurmë nga vajza 6-vjeçare Bleona Mata, e zhdukur që nga data 22 mars. Kërkime të shumta po bëhen çdo ditë jo vetëm në Zapod, por dhe në Kosovë e Maqedoni. E gjithë vëmendja është përqendruar në fshatin e largët Zapod, 40 km larg Kukësit dhe shumë afër Kosovës, rreth 400 metra nga kufiri, të cilit shumëkush deri dje nuk ia dinte as emrin, por që pasditen e 22 majit, në rrethana ende të mistershme, u zhduk Bleona. Për herë të parë në media janë bërë publike dëshmitë e vajzave, të cilat vogëlushja i kishte ndjekur nga pas në mal pasditen e 22 majit për të mos u kthyer më në shtëpi (të paktën deri sot, 8 qershor 2010) “I thashë të kthehej në shtëpi. Kur ktheva kokën pashë Bleonën të vinte pas meje. Ajo qante dhe kërkonte që të më vinte pas. Atëherë e ndihmova të kalonte rrugën e keqe. E çova te Alketa (halla e vajzës). E ulëm te xhupat për të pushuar dhe të gjithë zunë pozicionet e veta për të marrë bagëtitë”, - dëshmon Qamile Mata (vajza e axhës e Alketës). Më pas, vajzat, Qamilja, Alketa, Gentiana, Diana e Rudina kishin zënë pozicionet e veta për të marrë bagëtitë që do t’i kthenin në shtëpi. “Rudina me qengjat e saj në atë çast ishte shumë afër vajzës. Ndërsa unë, në çdo 5-10 metra, i bërtitja Lonës. Një moment ajo më tha ‘pse më bërtet, se s’të kam bërë gjë...?’. Për herë të dytë kur e thirra nuk më dha përgjigje. Kur ishim këtu ajo më kërkoi ujë dhe unë direkt shkova te burimi”, - vazhdon dëshmia.
Ndërsa Alketa (halla e vogëlushes), thotë se i kishte parë Qamiles të mbante në dorë dhe xhupin e Bleonës dhe e kishte pyetur për të. “Bleona duhet të ketë shkuar në shtëpi”, - dëshmon Alketa, e cila më pas shton se pasi ishte informuar në shtëpi se 6-vjeçarja nuk ishte kthyer, kishte kontrolluar gjithë zonën. Vajzat rrëfejnë se nuk kishin parë asnjë të huaj atë ditë në zonën ku kishin dalë për të kullotur bagëtitë, madje në momentet e fundit kur kishin shkëputur kontaktet me Bleonën nuk kishin dëgjuar as të qarat e vajzës apo ndonjë zhurmë tjetër të dyshimtë.

9 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›