E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimit klimaterike rrënojnë rrugët, duhet fond emergjence

SHKRUAN: Blerina Hoxha 17-12-2010 11:45

Ndryshimet klimaterike të kohëve të fundit me përmbytje të dhunshme në zonën e Nënshkodrës, me rrëshqitje dherash në të gjitha akset dhe një dimër i tanishëm i acartë, po bëhen shkak për rritjen e kostove të mirëmbajtjes së rrugëve gjatë periudhës në vazhdim. Ministria e Transportit në rishikimin e strategjisë kombëtare të Rrugëve, me ekspertizën e Lois Berger, nxjerr në pah se, ndryshimet klimaterike i rrisin shpenzimet e buxhetit për të mirëmbajtur rrugët, duke shkaktuar një kosto vjetore për këtë qëllim në më shumë se 43 milionë euro. Konsulenti Berger këshillon se duhet të ngrihet një fond vjetor emergjence, për mirëmbajtjet e rrugëve që dëmtohen nga katastrofat natyrore. Deri në vitin 2015, qeveria shqiptare duhet të ketë në dispozicion për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e disa akseve rrugore mbi 745 milionë euro. Mirëmbajtja në dimër do të bëhet edhe më e rëndësishme me rritjen e nivelit të trafikut në rrjetin rrugor. Veprimtaritë e mirëmbajtjes rutinë të vlerësuara nuk mbulojnë mirëmbajtjen e shpateve të rrugëve nga rrëshqitjet dhe pastrimin e tyre dhe shumat e planifikuara për këtë qëllim nuk mjaftojnë. Gjithashtu konsulenti ndërkombëtar ka këshilluar qeverinë që të krijohet një fond për mirëmbajtjen urgjentë të rrugëve. “Një shumë paraprake e hequr mënjanë për mirëmbajtjet urgjente mbulon mirëmbajtje të pa parashikuara dhe që shpesh janë edhe shumë të kostueshme, kryesisht në raste dëmtimesh nga fenomenet natyrore si p.sh. përmbytje, rrëshqitje masive të dherave dhe tërmetet” vlerën ekspertiza për mirëmbajtjen e rrugëve. “Këto kosto vlerësohen në 2% të buxhetit total të mirëmbajtjes”, shtohet më tej. Një shqetësim i madh, sipas konsulentit ndërkombëtar, është fakti se si do jetë në gjendje qeveria të financojë një shumë midis 22-32 milionë euro, për mirëmbajtjen e rrugëve në vit për rrjetin parësor dhe rreth 20 milionë të tjerë euro për rrjetin dytësor. Kërkesat buxhetore të mirëmbajtjes së rrugëve mund të ndryshojnë shumë nga viti në vit, me një buxhet të pa kufizuar. Konsulenti thekson se shpesh herë buxhetet caktohen për mirëmbajtjen rutinë, duke marrë për bazë vitin e shkuar. “Kjo mënyrë veprimi nuk i përshtatet mirë mirëmbajtjes që duhet të bëhet sipas një plani” këshillon konsulenti. Konsulenti rekomandon krijimin e një fondi rrugor për të shmangur krizën e gjetjes së fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve. Ka shumë përvoja nëpër botë të fondeve rrugore, shumica kanë qenë me sukses vetëm me disa përjashtime. Ato janë vetëm një mjet i përshtatshëm dhe mënyrë me kosto të ulët për të financuar mjaftueshëm mirëmbajtjet e rrugëve. Një fond rrugor mbledh të ardhura nga taksa mbi përdoruesit e rrugëve. Në përgjithësi një taksë e veçantë mbi karburantet që konsumohen nga automjetet, shërben si një burim kryesor për to. Kjo mënyrë është ajo më e zakonshmja dhe më e lehta për të zbatuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›