Biznesi shqiptar, ftohet në samitin e organizuar nga Obama
Biznesi shqiptar do të jetë i përfaqësuar në një aktivitet të rëndësishëm tregtar, i iniciuar nga vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Bëhet fjalë për Samitin Presidencial mbi Sipërmarrjen, i cili do të mbahet gjatë datave 26-27 prill në ndërtesën “Ronald Regan” në Uashington D.C, ku Shqipëria do të ketë si përfaqësuese dy sipërmarrëset Elsa Balteza dhe Donika Mici. Sipas të dhënave paraprake, ky Samit do të theksojë rëndësinë e sipërmarrjes, krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimit të komuniteteve. Ai do të mbledhë rreth 250 sipërmarrës të suksesshëm nga mbi pesëdhjetë vende; do të identifikojë mënyra për të çuar përpara sipërmarrjen ekonomike dhe shoqërore, do të ndërtojë rrjete mes të interesuarve në sipërmarrje, si dhe do të ofrojë një mundësi për të vendosur partneritete që çojnë sipërmarrjen përpara. Samiti thekson synimet e gjera të presidentit amerikan për të mbështetur sipërmarrjen, novacionin dhe mundësitë ekonomike në SHBA dhe jashtë.
Dëmtimi i lumenjve, Ministria e Mjedisit vendos vetëm gjoba fiktive
Vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit mbi 40 subjekte inertesh janë gjobitur me 60 milionë lekë për shkatërrim të shtretërve të lumenjve. Por asnjë lek nuk është vjelë nga këto gjoba dhe kompanitë vazhdojnë sërish punën të pashqetësuara. Drejtori Juridik i Ministrisë së Mjedisit, Alfred Deshati sqaron se këto gjoba nuk janë vjelë pasi ligji u ofron mundësi subjekteve t’i ankimojnë këto çështje në gjykatë. “Problemi i vjeljes së gjobave është shqetësues. Zgjidhja vjen vetëm nëse gjoba do të jetë titull ekzekutiv”,-theksoi Deshati. Brenda këtij viti Ministria e Mjedisit do të ndryshojë këtë ligj dhe do të kërkojë që të jetë Përmbarimi, organi që do të merret me ekzekutimin e gjobave.
“Ne kemi vendosur penalitete, por puna ka vazhduar normalisht. Atëherë duhet të merren masa jo vetëm duke u hequr kompanive lejen mjedisore, por edhe heqjen e licencës së shfrytëzimit. Ministria e Mjedisit ka gjobitur me 300 mijë deri në 2 milionë lekë subjektet, të cilat jo vetëm nuk kanë paguar gjobën por kanë vijuar punën normalisht.
Tkurren investimet në Shqipëri në 2010-n do të ulen me 7.1%
Biznesi po tkurr investimet duke paralajmëruar cenimin e rritjes ekonomike dhe rënien punësimit gjatë viteve në vijim. Të dhënat më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se investimet private në ekonominë shqiptare ranë në vitin 2009, me 2.3 pikë përqindje ndaj produktit të brendshëm bruto, krahasuar me një vit më parë. Fondi parashikon se rënia e investimeve do të thellohet edhe më gjatë vitit 2010, ku vlerësohet se norma e investimeve ndaj GDP-së do të arrijë pikën më të ulët që nga viti 2003. Por nëse gjatë vitit të kaluar rënia e investimeve private u kompensua nga rritja e investimeve publike të qeverisë, këtë vit kjo duket më e vështirë. Në dy vitet e fundit 2008-2009, investimet publike arritën rekordin respektivisht 8.6 dhe 8.3 për qind e PBB-së, ku qeveria i siguroi paratë duket rritur borxhin publik. Por rënia e të ardhurave e ka detyruar qeverinë që këtë vit të tërhiqet duke i ulur investimet në 5.5 për qind të PBB-së. Për këtë arsye shifra totale e investimeve të kryera në ekonomi, si nga biznesi edhe nga qeveria, së bashku, sipas FMN-së do të ulet në 2010-n me 7.1 për qind.
Berisha: “Shqipëria do të thellojmë raportet ekonomike me Rusinë”
Shqipëria është e gatshme të ofrojë një klimë pozitive për zgjerimin e pranisë ruse në investimet ekonomike. Takimi i dy ditëve më parë mes Kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadorit të ri të Federatës Ruse në Tiranë, Leonid Grigorievich Abramov vuri theksin në nevojën e thellimit të marrëdhënieve dypalëshe. Prioritet për Moskën mbetet prania e munguar ekonomike. Si pikënisje për këtë hapje diplomatike dypalëshe është nënvizuar bashkëpunimi i suksesshëm në fushën e arsimit, i cili krijon një premisë të mirë edhe për intensifikimin e dialogut politik që mungon. Turizmi, energjetika, por edhe infrastruktura janë disa fusha ku Rusia ka interes për të investuar, ashtu sikurse është parë të ndodhë në vendet fqinje këto vitet e fundit. Kërkesat e vazhdueshme ruse për përmirësim dhe thellim marrëdhëniesh, janë vënë re edhe në prezantimin e ambasadorit shqiptar në Moskë, ku ai u njoh me një vlerësim personal të Presidentit Medvedev, sa i përket rolit të Shqipërisë në rajon. Ky gjykim nuk ka munguar edhe në telegramin e urimit që Kryeministri Vladimir Putin i dërgoi homologut Berisha me rastin e rizgjedhjes në detyrë, ç’ka jep të kuptojë se Moska e ka lënë pas ngarkesën historike në marrëdhëniet dypalëshe.
e
24 Prill 2010