Financat gati të ndryshojnë akcizat, rritje për artikujt e konsumit
Ervin KOÇI
Me rishikimin që synon ti bëjë paketës së akcizës, qeveria parashikon të risë taksat për një pjesë të madhe të artikujve të konsumit, si të lëndëve që kanë lidhje me to. Një gjë e tillë do të sillte menjëherë një shtrenjtim të nivelit të jetesës, në një kohë që shumë prej produkteve që pritet tu ritet akciza, janë aktualisht të shtrenjta. Në këtë listë futen një pjesë e ushqimeve të cilave u vendoset akcizë për ambalazhet e tyre, por edhe shumë lëndë të para dhe lëndët djegëse. Në listën e artikujve që u ritet akciza janë karburantet, gomat e makinave, vajrat lubrifikante, pjesët e këmbimit për automjete, si dhe pijet alkoolike, bira, cigaret, dhe mjaftë produkte të importit. Niveli aktual i taksave për karburantet duket se nuk kënaq autoritetet shtetërore, pasi kanë planifikuar rritjen e disa nënprodukteve. Bëhet fjalë për lëndë të para djegëse që nevojiten për industrinë e rëndë të prodhimit, si solar apo naftë virgine, që përdoren edhe për sektorin e bujqësisë, për ngrohjen e serave, etj. Qeveria mendon t’u rrisë taksën këtyre produkteve, duke i unifikuar me karburantet e tjera, naftë dhe benzinë, që aktualisht janë 37 lekë për litër. Rritja e taksave do të sjellë kosto shtesë për subjektet private në sektorin e prodhimit, që Ministria e Financave e vlerëson në rreth 50 milionë dollarë. Drafti pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, pasi të jetë diskutuar me grupet e interesit në Këshillin Konsultativ.
Rritja e akcizave
Një rishikim apo rritje e akcizës për lëndët e para dhe ato djegëse, do të bënte që çmimi i karburanteve të rritej akoma e më shumë, tashmë jo si lëvizje e lirë e tregut, por me ndërhyrjen e vet qeverisë. Kështu, propozohet që për herë të parë nafta virgine të ketë një akcizë prej 70 lekë litri, kur sot niveli është zero. Tjetër propozim lidhet me karburantet, tip vajguri, që pritet të futen në listën e produkteve që duhet të paguajnë akcizë, në masën 20 lekë për litër. Sipas parashikimeve të bëra nga MF-ja, vetëm nga rritja e taksës për naftën virgin, kostoja shtesë për konsumatorin vlerësohet të jetë 21 milionë dollarë. I njëjti efekt negativ do të ketë edhe për biznesin prodhues dhe atë bujqësor, sa i takon rritjes së solarit dhe mazutit, me rreth 21 milionë dollarë. Efekte do të ketë edhe për nënprodukte e tjera të karburantit që pësojnë rritje, si për karburantet, tip vajguri me 70 mijë dollarë dhe për hidrokarbure aciklike dhe ciklike me 8 milionë dollarë. Kështu, për herë të parë në listën e produkteve që paguajnë akcizë në shkallë të ndryshme do të futen nafta virgine dhe karburantet tip vajguri. Kjo është njëra anë, pasi Financat propozojnë rritje për produktet e tjera, që janë në skemë. Ato janë konkretisht vajrat e rëndë si lëndë djegëse (solar, mazut), që aktualisht janë 13 lekë për kilogram, dhe propozohet të bëhen 37 lekë. Rritja në 37 lekë nga 5 lekë që është aktualisht prek edhe hidrokarburet aciklike dhe ciklike që përfshin (etilen, benzen, toluol, ksilol).
Fitimi i qeverisë
Të dhënat e fundit nga administrata doganore paraqesin një situatë kritike të zhdoganimit të karburanteve, ndikuar nga kriza ekonomike dhe rritja e çmimeve. Konkretisht për periudhën janar-shkurt 2010, importet e karburanteve kanë rënë me 14 mijë tonë, ose me 19 për qind në krahasim me një vit më parë, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2006. Në janar të vitit të kaluar, qeveria miratoi projektin e unifikimit të akcizës për tre llojet kryesore të karburantit, naftë D1, D2 dhe benzinë, duke i bërë me 37 lekë, kur norma ishte 75 për qind e vlerës. Padyshim që reagimi i grupeve të interesit ishte goxha i lartë, pasi rritja e çmimeve vinte në një kohë krize. Vetë tregtarët pretendojnë se me çmimet e 2009-s të naftës në bursë, akciza që paguhet ishte 31 lekë, ndërsa rritja e saj në 37 lekë ndikoi në çmimin final për të paktën me 6 lekë/litri. Nga ky ndryshim, qeveria futi në arkën e saj rreth 20 milionë dollarë ekstra, ndërsa këtë vit parashikohet dyfish të ardhura.
BOX//////////////
Financat heqin akcizën për parfumet dhe kafenë
Qeveria shqiptare po mendon të lehtësojë barrën fiskale për një kategori produktesh që lidhen më tepër me luksin se sa me domosdoshmërinë e njeriut. Bëhet fjalë për parfumet, produktet e kozmetikës dhe kafenë. “Propozohet që të hiqen mallrat e parfumerisë dhe kozmetike, si produkte me akcizë, për arsye se vetëm tre vende si Rumania, Kroacia dhe Danimarka i kanë të tilla produkte me akciza. Vendet fqinje të rajonit nuk i kanë të tilla produkte me akcizë dhe në këtë mënyrë mund të shmanget edhe hyrja e këtyre produkteve kontrabandë nga këto vende”,- argumenton Ministria e Financave. Sipas saj, efekti negativ në të ardhurat vjetore është 44 milionë lekë. Drafti është përgatitur këto ditë dhe i është dërguar për mendim ministrive të linjës. Po ashtu, projektligji i ri për akcizat, që parashikon të tjera ndryshime, do të kalojë për diskutim edhe në Këshillin Konsultativ të Biznesit, pranë Ministrisë së Ekonomisë. Aktualisht për kategorinë e produkteve parfume, ujëra tualeti dhe deodorante, aplikohet një masë takse si akcizë prej 60 përqindësh e vlerës. Me heqjen e kësaj takse, logjikisht çmimet e parfumeve në treg duhet të ulen me 60 për qind, duke i dhënë fund blerjeve me porosi te miqtë apo vet në “duty-free shop”-et e aeroporteve. Nga të dhënat zyrtare të doganave, gjatë pesë viteve të fundit (2005-2009), importi i parfumeve në vlerë, por edhe në volum ka ardhur në rritje. Për vitin 2009, vlera e importit të parfumeve arriti në afërsisht 4 miliardë lekë ose rreth 6000 tonë.
24 Prill 2010