E Diel, 1 Nëntor 2026

eKreditë me probleme vazhdojnë rritjen, 11.8 për qind e portofolit në mars



Ervin KOÇI

Pavarësisht të gjitha masave që janë marrë dhe po merren nga sektori bankar në vend, kreditë me probleme po vijojnë rritjen. “Është e nevojshme që për kreditë ekzistuese bankat të reflektojnë plotësisht madhësinë e kredive me probleme dhe të krijojnë rezervat përkatëse për rrezikun e humbjeve nga kreditë. Në portofolin e kredive me probleme, bankat duhet të identifikojnë klientët me probleme të përkohshme dhe të kapërcyeshme, dhe të ndërtojnë politika që ofrojnë mbështetje për këta klientë në këmbim të shtimit të elementeve që mbrojnë bankën prej rrezikut të këtyre kredive në të ardhmen”. Ky ka qenë mesazhi që u ka dhënë Banka e Shqipërisë bankave të nivelit të dytë në deklaratën e stabilitetin financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009. Ekspertët e BSH-së tërheqin vëmendjen se, sektori bankar duhet të kontrollojë cilësinë e kredisë. Prej tyre vlerësohet që përkeqësimi i cilësisë së kredisë do të shënojë vlerën më të lartë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 dhe do të stabilizohet në gjysmën e dytë të tij. Një përmirësim gradual, por i qëndrueshëm i këtij treguesi, pritet të shfaqet në vitin 2011. Por ajo çka tregojnë shifrat e muajve të fundit, mbetet alarmante, ku vetëm për muajin mars 2010, kreditë me probleme zinin 11.8 për qind të portofolit bankar.

Rikuperimi i kredive
Një nga pjesët e rëndësishme të aktivitet bankar në vend mbetet rikuperimi i kredive nga klientët në vështirësi. Për këtë qëllim BSH ka dhënë mesazhe të qarta ku i ka kërkuar bankave private që të tregohen rigoroze ndaj klientëve. “Për klientët që i vlerësojnë me një mundësi të ulët të pagesës së detyrimit të kredisë, bankat duhet të ndjekin vendosmërisht procedurat ligjore për ekzekutimin e garancive dhe të formave të tjera të kolateraleve, për rikuperimin e një vlere sa më të madhe të kredisë. E gjithë vendimmarrja në këtë proces duhet të jetë e qartë dhe e dokumentuar, dhe duhet të ketë si bazë analizën e strukturave të specializuara të bankës”,- bën të ditur deklarata.

Shpërndarja e kredive
Për kreditë e reja, nisur nga përvoja e bankave me problemet e shfaqura në portofolin e kredisë dhe arsyet përkatëse, është e domosdoshme të ketë një shpërndarje më të mirë sektoriale dhe një ekuilibër më të arsyeshëm midis projekteve publike dhe private, midis klientëve që përfaqësojnë sipërmarrje biznesi apo familje, midis formave të dhënies së kredisë në lekë ose në valutë etj., duke e orientuar kreditimin, në mënyrë që të zvogëlohet ekspozimi ndaj formave më problematike dhe të ulet përqendrimi i kreditimit në përgjithësi. Duke vlerësuar, para së gjithash, mundësinë e pagesës së kredisë nga ana e kredimarrësve dhe sigurinë e kreditimit, BSH-ja gjykon që ekzistojnë mjaft hapësira për bankat tregtare, që në varësi të madhësisë dhe mundësive që kanë, të mbështesin më shumë kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të ofrojnë mundësi më të mëdha financimi në lekë. Ecuria e cilësisë së portofolit të kredisë do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi rezultatin financiar të bankave. Në këtë kuadër, merr rëndësi edhe ndjekja me kujdes e vlerave të kapitalizimit të veprimtarisë bankare, pavarësisht niveleve të tij aktualisht të mjaftueshme.

Analiza, asetet e bankave u rritën me 1.2 për qind më 2009-n

Veprimtaria e sistemit financiar shqiptar vijoi të zgjerohej gjatë vitit të kaluar, por rritmi i rritjes qe më i ulëti i shënuar në një dekadë, bën të ditur Banka e Shqipërisë në një analizë për gjendjen aktuale ekonomike të vendit. “Vlera e mjeteve të sektorit bankar u rrit në 886.3 miliardë lekë, me një rritje nominale vjetore prej 6.3 për qind, ose rritje reale prej 1.2 për qind, kundrejt fundit të vitit të vitit 2008”,- thotë BSH. Ecuria e burimeve financiare, e të ardhurave dhe e kapitalit të sistemit financiar, u ndikua prej krizës financiare ndërkombëtare dhe ndikimit të saj në ekonominë reale të vendit. Në sektorin bankar, rënia e depozitave të publikut u ndërpre në fund të tremujorit të parë, dhe rikthimi i tyre në banka ka vijuar me ritme të qëndrueshme gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit 2009. Rritmi i ulët i shtimit të aseteve u shoqërua edhe me ngurrim të bankave për të shtuar stafin e vet. Bankat kanë shtuar të punësuarit me deri 1 mijë vetë në vit gjatë dekadës së fundit, duke krijuar lehtësim për të rinjtë që mbaruan studimet në ekonomi gjatë kësaj periudhe. Por në 2009, të punësuarit u shtuan me vetëm 50 vetë, ndërkohë që numri i të diplomuarve në ekonomi qe disa herë më i lartë.

24 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›