Shalsi: “Protestat e opozitës mund të zgjasin përtej datës 1 Maj”
Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, ka deklaruar për një media se protestat e opozitës në bulevardin qendror të Tiranës mund të zgjasin përtej datave 30 prill dhe 1 Maj. “Ne dimë shumë mirë që protesta do të fillojë në datën 30; ne dimë shumë mirë që protestat do të vazhdojnë në datën 1 Maj dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë derisa populli të na mbështesë. Dy ditë janë të sigurta, por nuk është e pamundur që protesta të zgjasë me ditë”, - tha Shalsi. Socialistët shpresojnë se protestat do të çojnë në largimin e qeverisë. “Kjo rrugë që ne kemi ndjekur shpresojmë dhe besojmë se do ta çojë këtë qeveri drejt një vendimi jashtë vullnetit të saj. Kjo qeveri praktikisht ka pushuar së ekzistuari në funksion të plotësimit apo të përmbushjes së misionit të saj”, - u shpreh Shalsi. Përsa i përket projektit të sheshit “Skëndërbej”, deputeti Shalsi, i cili ka qenë edhe një funksionar i Bashkisë, thotë se debati i hapur nga kryeministri është politik. Sipas tij, për projektin janë zbatuar të gjitha kërkesat ligjore.
24 Prill 2010