Devijimi i qarkullimit, shtohet trafiku në Tiranë
Skema e re e qarkullimit të automjeteve nuk do të shkaktojë kaos nëse respektohen rregullat e qarkullimit, vendparkimet e përcaktuara dhe nëse bashkëpunon policia rrugore. Në fakt, megjithë apelin që Bashkia e Tiranës u ka drejtuar qytetarëve para zbatimit të skemës së re të lëvizjes, kryeqyteti dje, sidomos gjatë pjesës së parë të ditës ka qenë i “mbërthyer” nga trafiku. Në pjesën më të madhe të rasteve kanë qenë vetë drejtuesit e automjeteve që kanë krijuar një kaos të tillë në trafik, pasi nuk kanë qenë të informuar për rrugët se ku duhet të kalonin pas devijimit të trafikut. Sipas skemës së re, nuk do të lejohen më që automjetet të vijnë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt qendrës, por ato shpërndahen në dy unazat, ku në segmente të caktuara është hequr parkimi në njërën anë. Për momentin, automjetet që vijnë nga selia e PS-së lejohet të qarkullojnë ende në qendër, por nuk lejohet të kthehen djathtas në krah të Xhamisë, pasi devijohen pak më përpara në rrugën “Abdi Toptani”. “Gjatë kësaj jave jemi të fokusuar për të devijuar trafikun nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ te ‘Bajram Curri’, si dhe për devijimin e automjeteve që vinin nga Xhamia te rruga ‘Abdi Toptani’. Situata deri tani ka qenë normale”, - ka deklaruar drejtori i Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija. Ndërkohë, në mesin e kësaj jave ose në fillim të javës tjetër, në varësi të punimeve, nuk do të lejohet që automjetet që vijnë nga Rruga e Durrësit, apo e Rruga e Kavajës të futen para PS-së për në qendër, pasi ato do të vazhdojnë drejt, ndërkohë që do të lejohen vetëm autobusët. Por, në këtë moment do të lirohet qarkullimi për automjetet që vijnë nga Rruga e Dibrës drejt 15-katëshit e në vazhdim në Rrugën e Durrësit. Drejtuesit e Bashkisë thonë se devijimi i qarkullimit po kryhet gradualisht derisa drejtuesit të mësohen me orientimin e ri. Madje, sipas tyre, dje është vënë re lehtësi në trafik, pasi ka pasur një mirëmenaxhim të tij.