Biznesi sllovak interes për investime në Shqipëri
Përfaqësues të biznesit sllovak kanë shfaqur dje gjatë një takimi me Kryeministrin Berisha interesim për të investuar në vendin tonë. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave, investitorët sllovakë, në përbërje të të cilëve ishin Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Sllovake të Tregtisë dhe Investimeve, përfaqësues të Postës Sllovake dhe përfaqësues të një shoqërie konsulence juridike, kanë paraqitur para kreut të qeverisë idenë për afrimin në Shqipëri të investimeve të huaja. "Përfaqësuesit e këtyre kompanive shprehën interesin për transferimin e eksperiencës sllovake në Shqipëri në fushën e politikave për tërheqjen e investimeve të huaja, fushë në të cilën Sllovakia njihet si histori suksesi. Posta sllovake shprehu interesin për të marrë pjesë në zhvillimin e Bank-Postës në bashkëpunim me Postën Shqiptare. Gjithashtu përfaqësuesit e grupit të investitorëve sllovakë shprehën interes për zhvillimin e parqeve industriale dhe transferimin e aktiviteteve të kompanive të huaja në to", thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi eksperiencën sllovake si mjaft të rëndësishme për t'u studiuar nga institucionet shqiptare, në veçanti në fushën e investimeve të huaja. Kryeministri inkurajoi investitorët sllovakë të përfitojnë nga mundësitë që po krijon ekonomia shqiptare për më shumë investime në të gjithë sektorët e saj, në veçanti nëpërmjet zhvillimit të parqeve industriale, për të cilat në Shqipëri ka filluar zbatimi konkret i tyre.