E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, skema për 30% deputetë femra në Kuvend

Nënkomisioni parlamentar për Shanset e Barabarta harton amendamentet për mënyrën e përfaqësimit të 30 për qind të grave në Kuvend. 

BLEDAR HOTI

Pas miratimit të ligjit "Për barazinë gjinore", kryetarja e këtij nënkomisioni, Lajla Përnaska, zhvilloi mbledhjen e parë duke diskutuar mbi një draft mbi të cilën do të ndryshohet Kodi i Ri Zgjedhor. Në këtë mbledhje kanë qenë të pranishëm zv.ministrja e Punës Sociale si dhe përfaqësues të UNIFEM. Kryetarja e këtij nënkomisoni, Lajla Përnaska, ka bërë të ditur se është përgatitur një draft paraprak, në të cilin përcaktohet skema që do të sjellë 30% të grave në Kuvendin e ardhshëm. Në këtë skemë të hartuar është parashikuar se në një zonë zgjedhore, rajon, ka 5 deputetë, atëherë dy prej tyre duhet të jenë të renditura gra. Ndërsa në rast se në ndonjë rajon ka 10 deputetë, tre prej tyre fituese duhet të jenë gra. Nëse numri i listës së kandidatëve është 100, atëherë në listë duhet të jenë të paktën 30 për qind e secilës gjini. Në 140 deputetë që ka Kuvendi, është parashikuar që 42 prej tyre të jenë gra, duke e llogaritur si pjesë 30%. Në dokumentin e miratuar është parashikuar dhe renditja në listë, që duhet të kenë partitë politike. Në renditjen e përgjithshme në vend të dytë të listës së përgjithshme, duhet të jetë një kandidat i gjinisë së ndryshme. Ato alternohen deri te pesë të parët. Deri te numri 70 i deputetëve, i bie që do të jenë 21 gjithsej. "Renditja e kandidatëve në listë përcaktohet nga vetë subjekti zgjedhor, që e paraqet atë, me kusht që në çdo grup prej 6 kandidatësh të ketë jo më pak se dy kandidatë nga secila gjini. Në rast vdekjeje të një kandidati të listës, vazhdohet me kandidatin pasues në renditje", thuhet në propozimin e paraqitur për nenin 87 të Kodit Zgjedhor. Nënkomisioni në draftin e paraqitur ka propozuar që KQZ-ja të mos i pranojë listat shumëemërore të deputetëve në rast se nuk plotësohet numri prej 30% i grave, duke i lënë një afat 5-ditor për të realizuar ato. Në rast se subjektet politike nuk plotësojnë kriteret e paraqitura, atëherë, sipas propozimit, KQZ-ja duhet t'i gjobisë ato. "Kur partitë politike ose koalicionet e partive politike paraqesin një listë që nuk përmbush kriteret e përfaqësimit të barabartë gjinor, sipas nenit 84 të këtij Kodi, KQZ-ja nuk e pranon listën shumëemërore, duke u lënë një afat 5-ditor për korrigjimet përkatëse. Në rast se pas përfundimit të këtij afati, partitë ose koalicionet politike riparaqesin një listë që sërish nuk plotëson kriteret e kërkuara si më sipër, atëherë KQZ-ja i detyron ato të paguajnë deri në një të dhjetën e fondit shtetëror për financimin e fushatës zgjedhore, deri në ndreqjen e shkeljes", propozohet në nenin 85 të Kodit. Gjithashtu propozohet që të gjitha komisionet e ardhshme që do të menaxhojnë procesin e votimit, duhet të kenë në përbërje 30% të grave si anëtarë. Këtu përfshihet edhe vetë KQZ-ja, KZZ-ja, KQV-ja, KZQV-ja dhe GNV-të. I njëjti kriter duhet të përdoret edhe për zgjedhjet për pushtetin vendor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›