Shqipëria fiton, del e para në grup
Jetmir Halilaj
Shqipëria ngjitet në vendin e parë në grup, me katër pikë e me golaverazh më të mirë se Suedia, falë fitores së mbrëmshme 3-0 kundër Maltës dhe humbjes së Portugalisë me Danimarkën.Megjithatë, ishte një fitore e vuajtur përballë ishullorëve modestë, të cilët në disa raste u paraqitën të frikshëm përpara portës së Arjan Beqajt. Skuadra mike, e ndërgjegjshme për forcën e vendasve, e nisi takimin tepër e vendosur dhe me presing në çdo sektor të fushës. Megjithatë, kuqezinjtë mund ta kishin zgjidhur që në fillim rezultatin, kur Bogdani u tregua altruist në zonë dhe pasoi me kokë te Klodian Duro, gjuajtja e të cilit krijoi iluzionin e golit por në të vërtetë doli jashtë. Mbulimi i ashpër i maltezëve në shumë minuta e asfiksoi mesfushën shqiptare, e cila u tregua e pazonja të organizonte sulme. Të njëjtin fat patën edhe përpjekjet individuale, ndërkohë që në ato raste kur arrihej të gjuhej në kuadrat, atje ishte i gatshëm portieri Haber, befasues me pritjet e tij. Fundi i pjesës së parë ishte i lumtur për Shqipërinë, kur krosimi i Duros nga e djathta u shfrytëzua më së mirë nga Bogdani. Sulmuesi i Kievos e devijoi topin me kokë aq sa duhej për të mposhtur Haberin dhe tundi rrjetën. U mendua se goli do ta çlironte Shqipërinë dhe në pjesën e dytë do të shihej lojë më e rrjedhshme, por nuk ndodhi kështu. Malta vazhdoi me të njëjtin qëndrim, e ardhur ndoshta me pretendimin që e pakta të mos pësonte goleadën e dëshiruar nga Ari Han. Në fushën e “Qemal Stafës” u pa i njëjti futboll i mërzitshëm, me shumë gabime të pasakta, ndërkohë që Malta herë pas here na kujtonte se edhe ajo fitore minimale nuk ishte e sigurt. Në dy raste u deshën ndërhyrjet e Beqajt, në një rast tjetër Mifsud gjuajti jashtë, i lirë para zonës. Frika e të gjithë përfundoi në minutën e 85-të, kur Klodian Duro shënoi golin e dytë. Pas një tentative të dështuar të Salihit, mbrojtësi maltez gabon rëndë, duke mos larguar topin nga zona. Duro vepron me shpejtësi dhe gjuan duke shënuar golin e dytë. Fitorja tani është e sigurt, por ndërkohë fillon edhe ajo që prisnin të gjithë: spektakli kuqezi. Aktivizimi i Berishës, hapësirat e krijuara dhe entuziazmi bëjnë që shqiptarët të luajnë rrjedhshëm dhe ka disa raste për shënim. Haber grushton në goditje nga këndi gjuajtjen e Berishës dhe pas krosimit është Dallku që vulos fitoren 3-0. Tri pikë që priteshin dhe që, pavarësisht lojës jo të mirë, i kanë dhënë Shqipërisë startin e ëndërruar.
Shqipëri – Maltë 3 - 0
Golat: 46’ Bogdani, 83’ Duro, 89’ Dallku
Shqipëria: Beqaj, Dallku, Cana, Curri, Agolli, Lala, Bulku (Beqiri 55’), Duro (Berisha 86’), Hyka, Bogdani (Salihi 72’)
Trajner: Ari Han
Malta: Haber, Xuereb, Bajada, Barbara, Dinech, Agius (Slicuna 46’), Brifa, Sammut, Mifsud, Schembri.
Trajner: Dushan Fitzel
Gjyqtar: Robert Schoergenhofer (Austri)
Kartonë të verdhë: Beqiri, Dallku, Cana/Frendo
Danimarka-Portugali, surpriza në minutat e fundit
Janë luajtur mbrëmë tre takimet e radhës në Grupin 1 të eliminatoreve të Botërorit 2010, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kuqezinjtë kanë fituar 3-0 ndaj Maltës, duke u renditur për herë të parë në historinë futbollit shqiptar në vendin e parë në grup pas dy ndeshjeve eliminatore. Shqipëria ka katër pikë, po aq sa edhe Suedia, por ka golaverazh më të mirë. Favoritja kryesore e grupit Portugalia është thyer mbrëmë në fushën e saj, pasi u mund nga Danimarka me rezultatin e ngushtë 3-2. Minutat e fundit të takimit kanë qenë dramatike, teksa danezët kanë përmbysur disvantazhin 2-1, për të shënuar tre gola. Edhe Suedia fitoi mbrëmë në Stokholm me rezultatin 2-1 ndaj Hungarisë. Golat e Kallstrom e Holmen mjaftuan për triumfin e parë të nordikëve në eliminatore.
renditja
PORTUGALI - DANIMARKË 2 - 3
42’ Nani, 86' Deko (11m)/ 84' Bendtner, 90’ Poulsen, 91’ Jensen
Suedi – Hungari 2 - 1
55’ Kallstrom, 64’ Holmen/ 90’ Rudolf
Shqipëri – Maltë 3 - 0
46’ Bogdani, 83’ Duro, 89’ Dallku
Renditja
Ekipi N F B H Gola P
1. Shqipëria 2 1 1 0 3-0 4
2. Danimarkë 2 1 1 0 3-2 4
3. Suedi 2 1 1 0 2-1 4
4. Portugali 2 1 0 1 6-3 3
5. Hungari 2 0 1 1 1-2 1
6. Malta 2 0 0 2 0-7 0
Deklaratat
Ari Han
“Skuadra e meritoi fitoren, e cila duhet të ishte më e thellë. Them kështu sepse për gjetjen e golit ekipi u nervozua shumë në pjesën e parë. Krijuam shumë raste, nga të cilët morëm vetëm mundësitë minimale. Ata (maltezët) kanë luajtur shumë fort, mbi mundësitë e tyre. Por në pjesën e dytë u lodhën dhe ishin shumë të çorganizuar në të gjitha drejtimet. Në këtë hapësirë të lojës erdhën edhe dy golat tanë”.
Dushan Ficel
“Mendoj se skuadra tregoi karakter ndaj një kundërshtari që mund ta quaj edhe rival me ne për renditjen. E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë dhe u munduam që taktikisht të luanim më shumë me topin për të gjetur hapësira të shpejta në mbrojtjen shqiptare. Por skuadra pati një mangësi të madhe, sepse nuk mundi të finalizonte rastet që krijoi, duke shkuar deri tek pika e penalltisë, dhe jo më tej në zonën shqiptare”.
Debatik Curri
“Sulmuesit e tyre ishin shumë problematikë, sepse ishin të shkurtër dhe shumë të lëvizshëm. Luanin mirë dhe shumë më fortë se sa suedezët ndaj mund të them se pata më tepër vështirësi se sa më ndeshjen kundër Suedisë. Megjithatë jam i kënaqur për tre pikët sepse ky është një fillim vërtet shumë i mirë. Shpresojmë të ruajmë këtë ritëm edhe në dy ndeshjet e ardhshme kundër Hungarisë dhe Portugalisë”.
Shqipëria e mbyll e 4-ta
Kombëtarja shqiptare U-21 e ka mbyllur fazën eliminatore të Euro 2009 me 12 pikë në vendin e katërt, duke lënë pas vetëm Azerbajxhanin dhe Ishujt Faraoe. Shpresat kuqezi nuk kanë shkuar më shume se një barazim pa gola në ndeshjen e fundit eliminatore për Euro 2008 kundër modestëve të Azerbajxhanit. Skuadra e drejtuar nga Artan Bushati zhvilloi një ndeshje të vakët në stadiumin e qytetit të Vlorës, duke mos arritur të shkundë rrjetën e kundërshtarëve. Me vetëm gjashtë lojtarë nga barazimi 1-1 në Baku, Shqipëria U-21 nuk reflektoi asnjë autokritikë në barazimin e dytë me Azerbajxhanin.