E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Kongoli: Puna e shkrimtarit është si e skllavit

 

ANILA MEMA

Një ftesë për udhëtim në Kongoland. Për të gjetur një atmosferë realiste, e plot ankth. Për t’u njohur me personazhe kongoleskë, sa tragjik aq edhe komik, si dhe me personazhe kongolianë sa dramatik po aq edhe tragjik. Ose udhëtim drejt një “humanisti” me këmbë në tokë. Kështu do ta quante përkthyesi i njohur Edmond Tupja, veprën e shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli, dje në një takim shkencor, organizuar me iniciativën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit. Në këtë takim të veçantë kushtuar veprës së shkrimtarit të njohur, u fol për dimensionet dhe rolin e veprës së tij në letërsinë shqiptare. “Një vepër letrare mund të quhet e arrirë, jo kur nuk ke më ç’t’i shtosh, por kur nuk ke më ç’t’i heqësh”. Është kjo një batutë që shpeshherë Fatos Kongoli e përdor me miqtë e tij. Dhe ai që e mban mend mirë dhe e përdor më shpesh është përkthyesi i veprave të tij në frëngjisht, Edmond Tupja. Sipas tij, vepra e Kongolit është realiste. “Dy polet janë e kaluara dhe e tashmja dhe tërë  vepra e tij është një vajtje-ardhje mes dy poleve”, thotë ai. Por për vetë Kongolin, puna e shkrimtarit është një punë e mundimshme që të jep shumë pak kënaqësira. “Punën e një prozatori do ta konsideroja me punën e një skllavi. Një shkrimtar është një skllav, që është vazhdimisht i lidhur me tryezën sepse ndryshe nuk ka mundësi të shkruaj”, shprehet Kongoli, pas falënderimeve të shumta bërë për të pranishmit në sallë. Ndërkohë kryetarja e Kuvendit Topalli, është shprehur se, kur njeh prozën e Kongolit nuk mund të mos kuptosh pse ai është kaq i njohur dhe i suksesshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, sipas Pirro Mishës, drejtues i Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, vepra e tij është një denoncim i periudhës komuniste. “Letërsia e Kongolit bën pjesë në elitën e shkrimtarëve, pasi ai është një shkrimtar kompleks dhe me veprën e tij kemi të bëjmë me një fenomen të veçantë”, shton Misha. Të pranishëm në këtë takim për Kongolin kanë qenë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John L. Withers II, i cili si një lexues i përkushtuar i veprës së Kongolit e cilësoi atë si, veprën e një gjeniu. Ambasadorja franceze, Maryse Daviet, botuesi i veprës së tij në shqip, deputetë, si dhe njohës të mirë të letërsisë së tij.

Veprat e rëndësishme pas ‘90

 “Dikur pak shkruanin, shumë lexonin, sot shumë shkruajnë dhe pak lexojnë”, një tjetër batutë kjo e fiksuar në mendje nga miqtë e shkrimtarit të njohur, i cili dje në takimin kushtuar veprës së tij, foli pak. “Pjesa më e rëndësishme e librave të mi janë shkruar pas rrëzimit të diktaturës sepse atëherë unë u ndjeva vërtet i lirë për të shkruar atë që kisha akumuluar, duke ju përkushtuar kësaj pune sepse nuk mund të bëhet ndryshe letërsia. Në të kaluarën kam jetuar si në një tunel ku nuk kishte asnjë dritë, por kam ecur dhe është rasti të them se kontakti me kulturën evropiane dhe perëndimore në tërësi kanë qenë shpëtimtare për mua”, thotë Kongoli, i cili gjithë jetën ia ka kushtuar gjuhës frënge. “Përmes saj kam njohur gjithë letërsitë e tjera të mëdha dhe këto kanë qenë hapësira lirie dhe arratie për mua në atë periudhë të errët”, thekson ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›