CERN nis eksperimentin e parë për krijimin e Universit
Shkencëtarët po përpiqen të rikrijojnë kushtet që çuan në formimin e Tokës, duke nisur eksperimentin më të përfolur e të debatuar të kohëve. Në një kompleks të madh të vendosur nën tokë në Alpet Evropiane, shkencëtarët vunë në veprim makinerinë dhe rrezatuan me thërrmija atomike në një tunel 27 km të gjatë, për të rikrijuar kushtet që çuan në formimin e universit. Më pas, në një tjetër ditë, ata do të bëjnë një rrezatim në drejtim të kundërt, duke copëtuar thërrmijat me një forcë kataklizmike. Sipas shkencëtarëve, ishte në këtë mënyrë, nga përplasja e antimateries, që u formua universi bashkë me planetin tonë. Eksperimenti është nisur nga Qendra Evropiane për Studime Bërthamore, (CERN). Gjatë rrezatimit, i cili është përcjellë me duartrokitje dhe ankth nga shkencëtarët, janë parë grimca të shndritshme, ndërsa rrezja e protonit kryente xhiron e parë. Projekti është planifikuar prej më shumë se 30 vitesh dhe është ndërtuar prej 14 vitesh me një kosto prej 10 miliardë dollarësh. Projekti është kundërshtuar në mënyrë shkencore, ligjore dhe fetare. Disa shkencëtarë besojnë se pakujdesia më e vogël në këtë eksperiment do të provokojë hapjen e një vrime të zezë dhe shkel të drejtën për jetën e qytetarëve evropianë dhe kërcënon rendin ligjor. Nëse ky eksperiment provon krijimin e antimateries, atëherë do të provohet teoria se nga përplasja e vrimave të zeza u krijua kozmosi, pra nga materia krijohet antimateria. Ky variant do të hidhte poshtë versionin se bota u krijua nga Zoti. Drejtori i përgjithshëm i CERN, në Gjenevë, është shprehur se “sot është një ditë historike për kompletimin e misionit të shumëpritur, që sjell shpresa të jashtëzakonshme për zbulime të mëdha”.