E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: BE të monitorojë Reformën Zgjedhore

 

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit, Ilir Meta, zhvilloi një takim me Drejtorin për Ballkanin në Komisionin Evropian, Pierre Mirel. Duke shprehur shqetësimin e madh për zhvillimin e reformave të qarta dhe të plota sipas standardeve dhe jo sipas vullnetit të dy partive të mëdha, PS dhe PD, kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit i kërkoi përfaqësuesit të lartë të Komisionit Evropian monitorim nga afër të reformave. Meta kërkoi një monitorim më nga afër nga BE-ja të Reformës Zgjedhore dhe asaj në Drejtësi. Ai gjithashtu vlerësoi gatishmërinë e BE-së për të ecur drejt liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Gjatë bisedës me përfaqësuesin e lartë të Komisionit Evropian, kryetari i Komisionit të Integrimit të Parlamentit shqiptar vlerësoi se vërejtjet e Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, sidomos në drejtim të rritjeve të kapaciteteve institucionale të Parlamentit për hartimin e ligjeve në përputhje me standardet e BE-së, janë tepër aktuale dhe kërkohet një vullnet politik nga maxhoranca për t'i plotësuar ato. Reformat e mëdha në vend kanë qenë në qendër të takimit të djeshëm mes Metës dhe Mirel. Kryetari i Komisionit të Integrimit ka shprehur shqetësimin për ecurinë e Reformës Zgjedhore, si reforma më e rëndësishme që do ta afrojë Shqipërinë me BE-në. "Kjo reformë po shtyhet në kufijtë e të pamundurës dhe po zhvillohet në një proces jo transparent", u shpreh Meta. Por objekt i kësaj bisede kanë qenë dhe elementë të infrastrukturës zgjedhore. Një nga pikat më të kontestueshme të LSI-së për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kartat e identitetit, duket se ende nuk do premtojnë arritjen e një standardi evropian në zgjedhje. Meta u shpreh se, "edhe realizimi i projektit të kartave të identitetit rrezikon të mos përfundojë në kohë, gjë që do të sjellë të njëjtat probleme me identifikimin e shtetasve që kanë patur zgjedhjet e kaluara".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›