Biznesi turk, investime në Shqipëri
>Bashkëpunimi në fushën e turizmit mes biznesit shqiptar dhe turk, ishin në qendër të takimit që u zhvillua dje mes ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, me Zonjën ?lker Güzel, Zëvendës Sekretare e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Turqisë, e cila shoqërohej nga një grup biznesmenësh të fushave të ndryshme, përfshirë dhe turizmin.
Ministri Pango informoi mbi zhvillimet e industrisë turistike shqiptare në tre vitet e fundit, përfshirë dhe promovimin e Shqipërisë turistike në rrjetet prestigjioze televizive si CNN, Euroneës, të vendeve të rajonit, si në Mal të Zi e Maqedoni, përmirësimet në infrastrukturë, duke veçuar procesin drejt përfundimit të rrugëve për në zonat turistike. Ministri Pango informoi biznesmenët turq mbi nismat, lehtësitë dhe mundësitë që ofron legjislacioni dhe shteti shqiptar ndaj investitorëve të huaj në Shqipëri dhe ftoi biznesin turk që të investojë në turizëm, veçanërisht nga Turqia si vend mik dhe me përqasje të ngjashme legjislative. Duke vlerësuar vizitën e Guzel dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit në fushën e Turizmit, firmosur në Prill 2008 në Stamboll, Pango theksoi se nismat dhe investimet në fushën e turizmit, si turizëm elitar dhe malor, janë të mirëpritura edhe për investitorët turq. Shqipëria ofron 450 km vijë bregdetare, 3 liqene dhe zona malore,që favorizojnë zhvillimin e turizmit malor, liqenor dhe bregdetar, bashkë me legjislacionin konform standardeve ndërkombëtare, çka po rrit interesin e investimeve të huaja, si franceze, angleze, arabe, etj. "Shtimi i numrit të vizitorëve në 2.5 milion në vitin 2008 flet për një zhvillim premtues dhe me tendencë në rritje të turizmit në një Shqipëri me stabilitet dhe siguri, elementë këto të vlerësueshëm dhe mbështetës për biznesin e huaj", u shpreh Pango. Zonja Guzel pasi vlerësoi mikpritjen, i ftoi përfaqësuesit e kompanive dhe bizneseve turistike turke, të cilët prezantuan bizneset që përfaqësonin. Ata theksuan se rruga e zhvillimit të turizmit në Turqi nuk ka qenë pa probleme dhe pengesa në vitet 80 kur turizmi ishte akoma në fillimet e veta, ndërsa në 2008, Turqia arriti një numër rekord prej 20 milionë turistë si dhe të ardhura në vlerën e 20 miliardë dollarë. Pyetjes së çfarë i ofron shteti shqiptar investitorëve të huaj për të ndërmarrë investime në Shqipëri, Ministri Pango i sqaroi të gjitha lehtësitë, duke filluar nga mundësia e marrjes së tokës me konçesion, me qera, apo blerja e tokës nga privatët dhe shteti. Biznesmenët turq shprehën gatishmërinë për të investuar në turizmin shëndetësor, ndërtimin e hoteleve të tipit biznes, ndërtimit të impianteve që lidhen me shëndetin brenda hoteleve, etj. Ministri i informoi biznesmenët turq për interesimin dhe ofertat e investitorëve të huaj si nga Britania e Madhe, Franca, Katari dhe Arabia Saudite.