Hajdutët plagosin oficerin e policisë
Shkon për të ushtruar kontroll në banesën e një të dyshuari për vjedhje, plagoset me mjete të forta një efektiv i Policisë së Sarandës. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur rreth orës 14:00 të së martës në qytetin jugor. Në një nga kryqëzimet kryesore të rrugëve, në afërsi të hotelit "Lili" dhe të tregut industrial, ka mbetur i plagosur oficeri i policisë së rendit, 40-vjeçari Roland Merko. Burime nga blutë lokale bëjnë të ditur se një grup efektivësh të Policisë së Sarandës, të shoqëruar edhe nga inspektori i rendit Merko, në cilësinë e të plotfuqishmit të lagjes "Kodër" të qytetit, kanë tentuar të ushtrojnë kontroll në banesën e një të dyshuari në lagjen Nr.3 në qytetin e Sarandës, pikërisht në kryqëzimin e quajtur i mish-peshkut. Në momentin kur uniformat blu hynë brenda, nga dritarja e banesës që do të kontrollohej, kanë dalë dy djem të rinj, të cilëve pas pak minutash u është bashkuar edhe një tjetër. Ata janë Geart Çoçka, Xhafer Bajo dhe Roland Aliaj, në moshën nga 20 në 23 vjeç. Duke u bërë së bashku, ata janë grindur fillimisht me fjalë me grupin e policëve, ndërsa më pas debati është shndërruar në përplasje fizike dhe përdorim mjetesh të forta. Inspektori Roland Merko është qëlluar me grushte, shqelma dhe me sende të forta. Në përpjekje për t‘u vetëmbrojtur, Merko ka vënë në përdorim armën e shërbimit, me të cilën ka qëlluar në ajër. Pas këtij momenti tre djemtë që po e sulmonin janë tërhequr dhe larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Në ikje e sipër ata kanë rrëzuar përtokë edhe një motoçikletë, me të cilën tentuan të largoheshin. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ambulanca dhe forca të shumta policore. Inspektori Roland Merko është transportuar në drejtim të urgjencës "Stefan Mekshi" të spitalit civil të Sarandës. Mësohet se nga goditjet, atij i janë shkaktuar plagë të ndryshme në trup dhe në dorën e djathtë. Burime spitalore bëjnë të ditur se ai gjendet në spital jashtë rrezikut për jetën dhe gjendja shëndetësore po përmirësohet. Vendi i ngjarjes është rrethuar nga efektivë të shumtë të policisë së rendit dhe asaj kriminale. Ndërkohë, agjentë të policisë kanë krijuar kordonë rrethues që kanë zgjatur për disa orë, duke mbajtur në kontroll sidomos aksin rrugor nga hotel "Butrinti" në Kanal të Çukës, drejtim në të cilin kishte të dhëna se ishin larguar djemtë agresorë. Pas disa orësh mbajtje të bllokuar të këtij aksi dhe ushtrim të kontrolleve në hotelet buzë rrugës, u bë kapja e të tre autorëve të ngjarjes. Ndërkaq burime nga policia thanë se autorët e sulmit mbi efektivin e policisë janë kontingjent i tyre dhe dyshohet se janë përfshirë në serialin e vjedhjeve të fundit të ndodhura në Sarandë, si dhe në episodet e fundit të trafikimit të lëndëve narkotike. Dyshimet kishin bërë të nevojshëm kontrollin e banesës së njërit prej tyre. Ndaj tre të rinjve, që plagosën inspektorin e policisë Merko dhe u përballën me të gjithë grupin e uniformave blu, mësohet se kanë nisur menjëherë hetimet.