Vritet në mes të Vlorës gruaja 50 vjeçe
Një grua 50 vjeçe është vrarë me gjakftohtësi dje në mes të Vlorës nga ish i dashuri i saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen "28 Nëntori", që ndodhet në qendër të qytetit të Vlorës. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se viktima, Stoli Sheraj, 50 vjeçe, e divorcuar, ka qenë duke punuar në lokalin e marrë me qira prej saj në lagjen "28 Nëntori". Në momentin e ngjarjes, lokali ka qenë bosh dhe autori, Xhezo Habilaj, 45 vjeç, i armatosur, ka hyrë në lokal dhe pa asnjë paralajmërim ka qëlluar me breshëri në drejtim të viktimës, e cila ka vdekur në vend, si pasojë e plumbave të shumtë të marrë në të gjithë trupin. Pas ekzekutimit, 45-vjeçari ka dalë në rrugë dhe me armën automatike në dorë ka ecur për rreth 100 metra në këmbë, deri në kryqëzimin e rrugës kryesore. Në anën lindore të qytetit ai i ka drejtuar armën një makine tip fuoristrade, që ishte duke kaluar në atë kohë. Nën kërcënimin e armës ai ka mundur të hipë në makinë dhe ta detyrojë shoferin ta çojë drejt zonës së Pyllit të Sodës. Këtu ai e ka zbritur pengun e tij dhe më pas, bashkë me makinën ka mundur të largohet, duke u zhdukur mes pemëve të pyllit. Policia ka marrë në pyetje shoferin e automjetit dhe ka bërë krehjen e zonës për kapjen e vrasësit Xhezo Habilaj. Kërkimet janë shtirë në të gjitha rrethinat e Vlorës, deri në territorin e Mallakastrës dhe Tepelës. Habilaj është kapur vetëm rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme në fshatin Kalivaç të Tepelenës, ku kishte mbërritur duke kaluar nëpër fshatrat malorë të Vlorës dhe duke kapërcyer në va lumin Vjosë. Ndërkohë, grupi i ekspertëve të policisë, pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka mundur të ndërtojë skenën e krimit. Mesditën e djeshme, Xhezo Habilaj ka ardhur para lokalit të marrë me qira prej 50-vjeçares Sheraj, duke mbajtur në dorë një çantë ngjyrë gri. Para se të futej në lokal, ai ka nxjerrë nga çanta një armë automatike të markës kallashnikov, me të cilin është futur brenda në lokal. Sapo ka ndeshur 50-vjeçaren, ai ka shkrehur armën në drejtim të saj. Gruaja ka rënë e vdekur përpara banakut, pa mundur të bëjë asnjë lëvizje për t‘u mbrojtur. Sipas të dhënave paraprake, ka rezultuar se viktima, Stoli Sheraj, dhe autori i ngjarjes, Xhezo Habilaj, njiheshin më parë dhe dyshohet se mes tyre ka pasur një marrëdhënie intime. Nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes, por policia dyshon se krimi ka ndodhur për motive xhelozie. Gjithsesi do të jenë hetimet dhe kapja e autorit ato që do të zbardhin vrasjen e 50-vjeçares, nënë e dy fëmijëve. Pas kryerjes së të gjitha veprimeve në vendngjarje, trupi i pajetë i viktimës është transportuar në morgun e Spitalit Rajonal të Vlorës, ndërsa uniformat blu janë vënë në ndjekje të autorit, i cili ende nuk është prangosur. Stoli Sheraj, nënë e dy fëmijëve, ishte divorcuar në vitin 1995. Deri në kohën e divorcit ajo kishte jetuar në fshatin Vajzë të Rrethit të Vlorës, ndërsa në vitin 1995 u zhvendos në qytet, ku ka jetuar me qira në banesa të ndryshme. Për disa kohë ajo ka punuar si kameriere në një nga lokalet në qendër të Vlorës, ku dhe është njohur me vrasësin e saj, Xhezo Habilaj, i cili punonte në të njëjtin lokal. Prej pak kohësh ajo kishte marrë me qira një lokal në lagjen "28 Nëntori" të qytetit, ku edhe gjeti vdekjen nga dora e ish të dashurit të saj.