Biznesmenët, 604 milionë lekë borxh doganës
• POGRADEC - Deficiti i krijuar në doganën e Qafë-Thanës nga detyrimet fiskale të papaguara dhe kamatëvonesat e pashlyera kap shifrën e 604.4 milionë lekëve.Nga statistikat të doganës mësohet se, aktualisht rezultojnë të jenë regjistruar 103 raste debitorësh. Duke iu referuar kësaj statistike bëhet e ditur se, janë 569.5 milionë lekë detyrime fiskale dhe 34.9 milionë lekë kamatëvonesa të pashlyera. Njëherësh pohohet se, për shumë subjekte debitorë janë ndërmarrë edhe procedura gjyqësore dhe veprime ekzekutimi të vendimeve gjyqësore. Drejtoria e kësaj dogane nuk bën të ditur identitetet e subjekteve debitorë, por biznesmenë të ndryshëm kërkojnë që kjo listë të bëhet transparente sepse, sipas tyre, ata janë vënë para një konkurrence jo të ndershme nga organizmat shtetërore, në rastin konkret nga drejtuesit e doganës. Biznesmeni E. K., në Korçë duke qenë në pozita të tilla ka pohuar se, “ka biznesmenë që i kanë borxhe doganore shtetit prej vitesh dhe që nuk bëjnë asgjë për shlyerjen e këtij borxhi. Do të ishte në interes të shtetit që lista e këtyre bizneseve të botohej në median lokale dhe qendrore, mbasi do të nxiste këta biznesmenë për të likuiduar borxhet. Thuhet se janë paditur në gjykatë, por ne nuk po shohim që këto subjekte të jenë objekt gjykimi për detyrime të pashlyera ndaj shtetit”. Sipas tij, nëse ky borxh nuk shlyhet, shteti duhet t’u vendosë afat dhe më pas të ketë konfiskim të biznesit dhe gjithë pasurisë që disponojnë. Ndërsa sipas presidentit të një firme tregtare, ka subjekte që borxhin në shtet e kanë më të lartë se vlera e gjithë pasurisë së paluajtshme që kanë. “Këta asnjëherë nuk kanë për t’ia shlyer debitin shtetit”, pohoi ai për “Panorama”-n. j.gj.