E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i Arsimores: Kategoritë që do preken nga reforma

• ELBASAN – Një reformë parashikohet në sistemin arsimor të Elbasanit, e cila do të largojë nga puna të gjithë mësuesit që nuk kanë diplomë.Kreu i Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Elbasan, Kujtim Mema, pohon se kjo reformë do të prekë disa kategori. Kështu, të gjithë mësuesit që janë pa arsimin përkatës, kryesisht ata që punojnë vetëm me dëftesën e shkollës së mesme, do të zëvendësohen nga ata me arsim të lartë. Sipas Memës, një kategori tjetër mësuesish që quhen pa arsim përkatës janë edhe ata mësues me arsim të lartë që punojnë jashtë profilit të tyre. “Jashtë profilit do të quhen edhe ata mësues, të cilët japin lëndë profesionale nëpër shkolla. Bëhet fjalë për ata mësues që janë ekonomistë, inxhinierë, agronomë, zooteknikë, të cilët do të quhen të përkohshëm, edhe pse kanë marrë një emërim definitiv nga kjo drejtori. Këta mësues duhet të certifikohen për pedagogji apo psikologji, e më pas do të quhen mësues të përhershëm”, deklaron Mema. Të gjithë mësuesit, të cilët janë pa arsim përkatës, do të kalojnë në mësues me kontratë. Ndërsa përsa i përket zonave të thella rurale, ku ka shumë drejtues shkollash 9-vjeçare, të cilët janë me arsim të mesëm, Mema deklaron se së shpejti do të nisë një verifikim. Sipas tij, megjithëse ata kanë përvojë në fushën e arsimit, do të reduktohen nga mësues me arsim të lartë. Madje, Mema pohon se ka pasur emërime në zonat e thella për studentë të dalë nga Universiteti i Elbasanit dhe që kanë pranuar të shkojnë të japin mësim edhe pse janë shumë larg. Kjo reformë nuk është pritur mirë nga ata arsimtarë që, ndonëse nuk kanë arsimin përkatës, kanë kontribuar në edukimin e brezave prej vitesh.         a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›