E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora rikthehet në pranverë

• Rikthehet dimri në pranverë.KUKES/PESHKOPITemperaturat e ulëta të ditëve të fundit kulmuan dje me rënien e dëborës në zonat e verilindjes së vendit, trashësia e së cilës arriti deri në 50 cm. Qarku i Dibrës dhe i Kukësit kanë regjistruar probleme në qarkullimin e mjeteve në akset kryesore, ndërsa në komunat e thella është bllokuar komunikimi.  Prefekti i Qarkut të Dibrës, Xhaferr Seiti, tha dje se situata është vlerësuar maksimalisht që në orët e para të mëngjesit. “Është mbledhur shtabi i emergjencës. Kemi përcaktuar detyra konkrete për ndërmarrjen e rrugëve nacionale, duke kërkuar angazhimin e forcave dhe mjeteve të ndërmarrjeve të Dibrës, Bulqizës e Matit për mbajtjen në gatishmëri të rrugës nacionale Peshkopi-Milot”. Sipas prefektit të Dibrës, shtabi i emergjencës ka bashkëpunuar me Drejtorinë Rajonale të Policisë dhe komisariatet e policisë për të disiplinuar mjetet që lëviznin në arteret rrugore të këtij qarku. “Kudo, - tha prefekti, - janë ngritur postblloqe me punonjës të Policisë Rrugore dhe është kërkuar vendosja e zinxhirëve nga shoferët që udhëtojnë në këto akse rrugore. Kemi kërkuar nga Bashkia e Peshkopisë dhe komunat e zonave të thella të evidentojnë problemet dhe së bashku t’i zgjidhim ato”. Mësohet se dje pasdite janë bllokuar rrugët që lidhin komunat Lurë, Trebisht e Ostren me njësitë e tjera vendore. Përqendrimi i mjeteve e forcave në rrugët nacionale kanë lënë jashtë vëmendjes komunat malore. Në Peshkopi dje pasdite kishte më shumë se 30 cm dëborë, ndërsa në komunat e thella mbi 60 cm. Ende nuk thuhet nëse ka probleme në lidhje me rezervat ushqimore në 4 bashkitë dhe 31 komunat e Qarkut të Dibrës. Dëbora mbuloi dje dhe qytetin e Kukësit e periferitë e tij. Rreth 7 cm është regjistruar trashësia e saj në qytet, ndërsa në pika të larta si në Qafë Mali ka arritur në 30 cm. Po kaq dhe në komunat Shishtavec, Arrën e Lekbibaj të Tropojës. Vështirësitë më të mëdha të qarkullimit të automjeteve kanë qenë gjatë paradites në aksin Kukës-Morin në fshatin Bardhoc, ku për një orë e gjysmë është bllokuar rruga nacionale, pasi frynte erë e fortë dhe vargu i makinave të bllokuara ka arritur në 150. Pas më se një ore është bërë e mundur që të lirohet rruga dhe me ngrohjen e motit. Nuk janë shënuar aksidente, ndërkohë që policia porositi shoferët që në çdo moment të kenë me vete zinxhirët, pasi parashikohet që gjatë natës sërish të ketë prishje të motit.                e.d/j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›