E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmenët dhe tre gjermanë, në burg për ngarkesën 40 kile heroinë

 

TIRANE - Bashkëshortët e moshuar gjermanë, të arrestuar si korrierë të 40 kilogramëve heroinë që u bllokua nga operacioni "Kështjella" mbrëmjen e së shtunës, mohuan dje të kishin dijeni për drogën e gjetur në makinën e tyre. Megjithatë Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi për ta masën e sigurisë "arrest me burg" deri në fund të hetimit. E njëjta masë sigurie u vendos edhe për gjermanin tjetër si edhe për dy shtetasit nga Fieri të arrestuar në të njëjtin operacion. Bashkëshortët Franc e Regina Kiascek dhe Daniel Englert, të tre shtetas gjermanë dhe shqiptarët Zaim Tafa e Albert Pëllumbaj u paraqitën dje në Gjykatën për Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë. Prokurori i çështjes Ervin Kondili tha se, faktimi i kryerjes së veprës penale "trafikim i narkotikëve në bashkëpunim" për 5 të arrestuarit ishte realizuar me përgjimin e bisedave telefonike mes tyre, si edhe me regjistrime ambientale audio e video. Për të gjithë ata prokurori kërkoi nga gjykata vlerësimin e ligjshëm të arrestimit, si dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve. Franc Kiascek tha para gjyqtares Etleva Deda se ai dhe bashkëshortja e tij nuk e dinin se në automjetin e tyre kishte drogë. "Daniel Englert na dha një pikturë t'ia transportonim drejt Italisë. Kur të arrinin në Bari, do t'i telefononim për t'ia dorëzuar. Nuk e dinim se brenda paketimit të saj kishte drogë", tha Franc Kiascek i dyshuar si korrier i drogës. Daniel Englert pranoi dje të kishte drejtuar automjetin ku u bllokua sasia e drogës, por mohoi të kishte lëndë narkotike në ato momente në makinë. Ndërsa mbrojtësi i tij ligjor tha se bisedat e regjistruara mes Englert dhe çiftit gjerman janë realizuar për shkak të profesionit të tij si agjent shitjesh. Avokatët e shtetasve shqiptarë kërkuan dje masa sigurie më të buta se "arresti me burg" për klientët e tyre. Pasi dëgjoi pretendimet e të gjithë palëve, gjykata vendosi lënien e të pestëve në qeli deri në përfundim të hetimeve. Operacioni "Kështjella" u finalizua mbrëmjen e së shtunës me prangosjen e 5 personave dhe bllokimin e 40 kilogramëve heroinë në pikëkalimin kufitar të Kakavijës. Sipas hetimeve blerësi i drogës është Englert dhe "korrierët" për trafikimin e saj ishin çifti gjerman. Po sipas prokurorisë, dy shqiptarët dyshohet se janë përfshirë në trafik, duke siguruar drogën në Maqedoni dhe mbajtjen e saj derisa është marrë nga gjermanët.       ar.ba  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›