E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PS: Do rishikojmë qëndrimin

 

BLEDAR HOTI

Socialistët i rikthehen çështjes së kartave të identitetit, duke paralajmëruar se mund të marrin një qëndrim politik në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Nënsekretari i Çështjeve Ligjore në PS, Damian Gjiknuri, duke shprehur shqetësimin për ecurinë e procesit të pajisjes me karta, ka bërë të ditur se nëse situata nuk përmirësohet, partia e tij mund të mbajë edhe ndonjë qëndrim politik ekstrem. "PS-ja është seriozisht e angazhuar që ky proces të përfundojë një orë e më parë, por nëse situata në terren nuk përmirësohet dukshëm në ditët në vijim, ne jemi të detyruar të rishikojmë qëndrimin tonë politik në lidhje me zgjedhjet", tha Gjiknuri. Sipas tij, vendimet e reja të qeverisë për pajisjen e shtetasve me letërnjoftime nuk po gjejnë zbatim nga strukturat lokale dhe në shërbimin postar. Gjithashtu sistemi i zyrave të aplikimit akoma nuk është shtrirë në të gjithë vendin, duke rrezikuar seriozisht procesin. Gjiknuri bëri të ditur se shumë zyra postare po pengojnë procesin e pajisjes me karta, duke nxjerrë pretekstin se duhet të pajisen me vërtetim nga policia për mungesën e pasaportës me jashtë shtetit. "PS-ja është thellësisht e shqetësuar se akoma në 38 njësi vendore nuk janë hapur zyra aplikimi, duke rrezikuar seriozisht që mbi 25 mijë zgjedhës në këto njësi të mos kenë mundësi të pajisen me dokumentin e kërkuar", tha Gjiknuri. Ndërsa ka bërë të ditur se edhe një pjesë e vendimeve të qeverisë, siç është ai me numër 366, nuk po zbatohen nga postat shqiptare. "Denoncojmë heshtjen e Ministrisë së Brendshme në lidhje me kërkesat e anëtarëve të opozitës në komisionin ad hoc, sidomos për fatin e pasaportave të vjetra që ndodhen akoma në magazinat e Ministrisë së Brendshme  dhe procedurat që po ndiqen me to. I kërkojmë Ministrisë së Brendshme që të deklarojë zyrtarisht dhe publikisht se çdo qytetar që nuk ka emrin në listat e ministrisë, duhet të aplikojë duke nënshkruar një deklaratë në postë, si dhe të marrë masa që administrata e postës të mos keqinterpretojë vendimin sipas orekseve të drejtuesve të saj", tha Gjiknuri.
Reagimi i Postës
Në lidhje me qëndrimin e PS-së reagoi dje Posta Shqiptare, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet e socialistëve. "Filiali i Postës së Tiranës shprehet se këto janë vetëm trillime politike, sepse vendimi nr. 419, datë 30.04.2009, në zyrat postare të kryeqytetit ka gjetur zbatim që nga dita e hënë, datë 4 maj 2009, kur u çuan të gjitha listat e personave pa pasaporta të ardhura nga Ministria e Brendshme në zyrat postare pranë njësive bashkiake dhe jo 6 ditë me vonesë siç keqinformohet opinioni publik. Shprehim keqardhje nga të tilla deklarata, kur në vend të përgëzimit për punonjësit e shërbimit postar për shërbimin me dy turne ndaj qytetarëve në një kohë kur politika ishte pushim, sportelet ishin të hapura dhe të angazhuara për zbatimin e vendimit të qeverisë për shtesat e kategorive të pensioneve", tha zëdhënësi Bruno Gjymshana. Ai shtoi se, "deri më sot numri i kuponëve për letërnjoftimin elektronik të shitur vetëm në zyrat postare ka kaluar numrin 800 mijë, për pasaportat biometrike sasia e kuponëve të shitur ka shkuar mbi 7 mijë".

Pretendimet e PS

Në shumë agjenci postare shtetasit pa pasaportë që nuk e kanë emrin në listat e Ministrisë së Brendshme nuk po pajisen me kupon kundrejt tarifës 200 lekë.

Preteksti nga Posta është se duhet të dorëzojnë një vërtetim nga policia se nuk disponojnë një dokument të tillë.

Ky fenomen është konstatuar në filialet e postave të njësive 1, 2, 4, 5, 7, 9, 11 në Tiranë. 

Akoma në 38 njësi vendore nuk janë hapur zyra aplikimi, duke rrezikuar seriozisht që mbi 25 mijë zgjedhës në këto njësi të mos kenë mundësi të pajisen me dokumentin e kërkuar.

Në shumë njësi transporti falas i premtuar nga Kryeministri nuk po funksionon, duke privuar shumë njerëz nga aplikimi për shkak të distancave.

Ministria e Brendshme t'i japë zgjidhje pensionistëve që marrin pensionin në bankë, pasi vendimi 266 nuk i mbulon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›