Blushi: Dyqind lekë për të hequr Berishën janë shumë pak
Deputetët e PS-së, Ben Blushi, Alfred Dalipi dhe nënsekretari për koordinimin në PS, Arben Ahmetaj, kanë qenë dje në Vithkuq. Gjatë takimeve me banorët atje, Dalipi e Ahmetaj kanë folur për programin e ri qeverisës të PS-së, i cili nuk është një listë dëshirash të parealizueshme. "Nuk mund të rritemi, të bëhemi burra dhe të plakemi me Sali Berishën, sepse u bë 20 vjet që turbullon jetët tona. U bënë 20 vjet, që qoftë në pushtet, qoftë në opozitë e turbullon Shqipërinë, nuk i jep asgjë dhe gjithmonë ikën duke bërë dëm. Këtë radhë nuk do ta lejojmë të na bëjë dëm, nuk do ta lejojmë që të marrë me vete në pensionin e tij shpresën tonë për një Shqipëri evropiane", tha Blushi në fjalën e tij. Deputeti socialist theksoi se, "më 28 qershor, pa dyshim do të jetë një ditë ndarjeje, do të jetë një ditë divorci i madh me një politikë që në 20 vjet nuk i dha popullit atë që meritonte, në 20 vjet nuk i dha shqiptarëve rrugën e duhur". "Ju kërkoj të gjithëve, bëni një sakrificë të vogël për të shkuar dhe për të marrë letërnjoftimin, sepse 2 mijë lekë të vjetra për të hequr qafe Sali Berishën është shumë pak. Dy mijë lekë të vjetra për të votuar kundër kësaj qeverie është shumë pak. Kushdo që ka 2 mijë lekë mund ta heqë Sali Berishën nga pushteti. Kushdo që ka 2 mijë lekë të vjetra duhet të vijë me ne në 28 qershor dhe të votojë për të ndryshuar qeverinë e Shqipërisë", theksoi Blushi.