E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolaudimi, ministria bën gati privatizimin

• Hapet drita jeshile për dhënien me koncesion të Drejtorisë së Kolaudimit të automjeteve. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi.

"Ka përfunduar dokumentacioni ligjor për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve dhe do t'ia përcjellë Agjencisë së Prokurimit Publik për të bërë shpalljen, që do të thotë edhe fillimin e procedurave për dhënien me koncesion të këtij shërbimi", ka thënë ministri. Sipas vendimit të qeverisë, ky shërbim do të bëhet nga një kompani private që mund të jetë vendase apo e huaj për një afat kohor prej 20 vjetësh. Por me dhënien me koncesion të këtij shërbimi, tarifa që paguajnë qytetarët do të ndryshojë. Në lidhje me këtë, ministri Olldashi është shprehur se "do të jetë një nga kriteret e vlerësimit, pasi ne nuk mund të lëmë tarifa të palimituara. Është bërë një kombinim shumë i mirë i disa faktorëve, i faktorit investim, faktorit teknologjik që do të përdoret, por edhe i tarifës së aplikueshme". Tarifat që janë aplikuar deri më tani kanë qenë të përballueshme për qytetarët dhe, për rrjedhojë, sektori i kontrollit teknik të automjeteve ka një fitim. "Sigurisht që kjo e ardhur do të mbetet në vlerësimin e ofertuesve nëse kjo e ardhur është e mjaftueshme për të mbuluar gjithë investimet që kërkohen për të përmirësuar teknologjinë e kontrollit", ka thënë ministri. Sipas vendimit të miratuat nga qeveria, të gjithë kompanitë që plotësojnë kriteret teknike për të marrë pjesë në këtë koncesion, mund të dorëzojnë dokumentacionin në ministri brenda datës 30 prill. Ministria e transporteve do të kalojë në sitën e saj të gjitha ofertat dhe brenda datës 20 maj do të shpallë listën e subjekteve në Buletinin e Njoftimeve Publike. Kompanitë e parakualifikuara duhet të dorëzojnë ofertat më datë 30 shtator 2008. Ministria do të kryejë vlerësimin e ofertës fituese dhe do të shpallë rezultatin e vlerësimit më datë 31 tetor 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›