E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesmenët e tekstileve: Do shesim pasurinë për borxhet

• KORÇE – Biznesmenët e tekstileve, të akuzuar për mashtrim në shuma të mëdha të qytetarëve dhe shmangie të detyrimeve tatimore janë liruar dje nga burgu për të qëndruar në arrest shtëpiak.

Mes kërkesës së Prokurorisë për t’i lënë në “burg pa afat” dhe asaj të avokatit për t’i lënë të lirë, gjykata vendosi masën e arrestit shtëpiak. Jani Lluka dhe Ilia Nikolla u arrestuan rreth 1 muaj më parë, pas denoncimeve të qytetarëve dhe dyshimeve të policisë për krijimin e një firme piramidale. Në seancën e djeshme, prokurori Bardhi Lako kërkoi që dy të akuzuarit për mashtrim të qëndrojnë në burg, pasi sipas tij, janë shtuar edhe 9 kreditorë të tjerë që deklarojnë mashtrimin, ndërsa pasuria nuk ka asnjë vlerë para shumave të mëdha që kanë marrë në formë huaje dhe me përqindje dy të akuzuarit. Sipas akuzës, gjatë një muaji hetime është kryer ekspertiza ndaj firmës “Interkonfeksion”, ndërsa ndaj kreditorëve ata kanë një borxh prej 90 milionë lekësh ndaj degës së tatimeve, madje kjo e fundit kishte vendosur bllokimin e aktivitetit të tyre që në muajin tetor të vitit të kaluar. Prokurori ka bërë të ditur se, huamarrjet e tyre në individë të veçantë dhe nëpër bankat e të gjitha shkallëve arrin në 700 mijë euro. Vetë biznesmenët kërkuan lirimin, duke pohuar se kanë aq pasuri sa mund t’i shlyejnë borxhet që kanë marrë. Për këtë qëllim ata kanë deklaruar se janë të gatshëm që të shesin të gjitha kapitalet për të bërë pagesat ndaj qytetarëve, të cilëve iu kanë marrë borxhe të konsiderueshme.                       j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›