E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Furtunë” abuzimeve në Hipotekë

• Operacioni i koduar “Furtuna” godet një skemë të mirorganizuar që vepronte prej kohësh në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit.

DURRES/ OERD ULQINI

Tre arrestime të befasishme kanë tronditur në mesnatë Hipotekën e qytetit bregdetar. Një ekonomiste e lartë e këtij institucioni dhe dy persona të konsideruar nga policia si sekserë kanë rënë në pranga në orët e para të agimit. Brikena Çato 24 vjeçe, e cila ushtronte detyrën e specialistes së praktikave në Hipotekë është arrestuar nga blutë e antikrimit ekonomik menjëherë, pasi Gjykata e Durrësit vendosi ndaj saj masën e sigurisë “arrest në burg”. Të njëjtat fletë-arreste të gjykatës u ekzekutuan më pas nga policia edhe për shtetasit Shpëtim Cani 41 vjeç dhe Violeta Xhyvelja 46 vjeçe. Këta persona konsiderohen nga hetuesit si pjesë e një skeme të përbashkët, me qëllim përfitimin e parave nën dorë nga aplikantët. Bazuar në një hetim disamujor të seksionit kundër krimit ekonomiko-financiar, rezultoi se shtetasit Shpëtim Cani dhe Violeta Xhyvelja, ndërmjetësonin kundrejt përfitimeve të paligjshme duke gjetur persona të interesuar për nxjerrjen e certifikatave të pronësisë. Dokumentet siguroheshin nëpërmjet bashkëpunimit me punonjësen e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit, Brikena Çato. Kjo skemë ka funksionuar për më shumë se gjashtë muaj, derisa një i infiltruar i policisë e zbardhi plotësisht mekanizmin e saj. Një agjent civil i policisë së Durrësit është shtirur i interesuar për marrjen e një certifikate të pronësisë tek sekserët Cani dhe Xhyvelja, të cilët i kanë siguruar atij se “kjo ishte punë e kryer”, pasi një njeri i brendshëm ndodhej në Hipotekë. Pagesa varionte nga 150-200 euro për çdo certifikatë të marrë nën dorë dhe jashtë radhe bën me dije policia e Durrësit. Skema dukej se funksiononte pa u diktuar, derisa disa denoncime radhazi u depozituan në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Grupi i hetuesve ka nisur muaj më parë punën për mbledhjen e provave që implikojnë tre të arrestuarit, derisa metoda e veçantë e hetimit me agjentin e infiltruar solli konfirmimin e veprimtarisë së paligjshme. Nga tre të arrestuarit vetëm shtetasi Shpëtim Cani ka pasur në të shkuarën precedentë penalë. Sipas policisë, ai është arrestuar më parë për shpërdorim detyre, vepër penale e cila i ka kushtuar disa muaj burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›