E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet selia e PS-së, zhduket kompjuteri me lista

• Grabiten zyrat e Partisë Socialiste të Vlorës.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Gjatë orëve të mbrëmjes së të enjtes, persona të paidentifikuar kanë mundur të hyjnë me dhunë në godinë, duke siguruar kompjuterë e dokumente të vlefshme për anëtarët socialistë të qytetit bregdetar.
Sipas policisë së qytetit, grabitësit kanë mundur të shqyejnë një nga zgarat e dritares së selisë duke u futur më pas në ambientet e brendshme të saj. Pasi kanë shqyer dhe të gjitha bravat e dyerve të zyrave të PS-së grabitësit kanë hyrë dhe në zyrën e kryetarit të kësaj partie për Bashkinë e Vlorës, Eltar Deda, dhe aty kanë grabitur objekte me vlerë. Kompjuteri i punës së kreut socialist, disa shkresa dhe teserat e anëtarësimit në PS. Pas zyrës së kryetarit, autorët kanë vazhduar sulmin në zyrat e FRESSH-it, si dhe në atë të financës, ku janë rrëmbyer të gjitha shkresat që ndodheshin në tryeza, rafte apo sirtarë të zyrave. Grabitësit kanë shqyer dhe kasafortën, por kur e kanë hapur atë janë befasuar se përveç disa mandatarkëtimeve në kasafortë s’kishte asgjë tjetër. Ata i kanë lënë sërish në vend dhe kanë nxituar të largohen me kompjuterin e dokumente të tjerë me vete. Policia e qytetit është lajmëruar mëngjesin e djeshëm. Ekspertët e saj nisën verifikimin për të marrë gjurmët e lëna nga autorët në vendngjarje, me qëllim krahasimin e tyre me shenjat e të dyshuarve. Deri pasditen e djeshme nuk kishte të dhëna mbi autorët e mundshëm të kësaj grabitjeje. Mësohet nga burime të PS-së së Vlorës se në kompjuter ndodhej dokumentacioni i anëtarëve të kësaj partie në qytet. Ky fakt dhe rrëmbimi i shkresave në zyra ka bërë që të dyshohet për një vjedhje të planifikuar për ndonjë qëllim të specifikuar. Megjithatë, pas ngjarjes, kryetari i Partisë Socialiste, Eltar Deda, e ka përjashtuar dyshimin se vjedhja ka qenë tendencioze. “Nuk ka prova që të tregojnë se ngjarja mund të jetë e qëllimshme për ta cenuar selinë rozë politikisht, por autorët duhet të kenë qenë hajdutë ordinerë”, u shpreh Deda, ndërsa ka shtuar se, i takon policisë për të zbardhur grabitjen dhe motivet që i shtynë autorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›