E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmenët italianë,interesim për Shkodrën

25/03/2005  Vizita

SHKODËR - Është kthyer nga Italia delegacioni i nisur 10 ditë më parë nga Shkodra, në përbërje të të cilit ishin jo vetëm pjesëtarë nga organizatorët e iniciativës së marketingut territorial, si Agjencia “Tauleda”, UNOPS, PASARP, Qarku dhe Bashkia Shkodër, konsullata italiane, por edhe përfaqësues nga Ministria e Financave, Dhoma e Tregtisë Shkodër dhe 5 biznesmenë të fuqishëm të qytetit.

Rreth takimeve të zhvilluara në Itali, ka informuar për gazetën “Metropol” kryetari i Qarkut të Shkodrës, Lorenc Luka, i cili sqaron se janë bërë shumë takime me sipërmarrës të zonës së Venetos e më gjerë, ku delegacioni ka promovuar vlerat e rajonit të Shkodrës, duke i dhënë perceptimin e saktë të territorit, ofertat reale dhe gjendjen social–ekonomike si dhe eksperiencën territoriale, aftësinë prodhuese, lëndën e parë, traditat, specializimet teknike dhe zgjidhjet që ofron zona.

Lorenc Luka u shpreh optimist në lidhje me fazën e parë të takimeve me imprenditorët italianë, duke u nisur nga vetë interesimi që kishin paraqitur biznesmenët italianë për zonën e Shkodrës, zonë që pothuajse nuk njihej fare nga ata. Biznesmenët italianë kishin kërkuar të njiheshin dhe me ligjin aktual të investimeve të huaja, duke mos pasur njohuri për atë, pasi duke mos pasur asnjë reklamim për këtë zonë të afërt, ishin duke investuar shumë larg vendit të tyre, në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Luka u shpreh se në të ardhmen do të punohej për lehtësimin e procedurave burokratike të sotme, që po i zvarrisin biznesmenët e huaj, në mënyrë që të krijohen kushtet për investime në 5 sfera investimi, për të cilat kishin rënë dakord me imprenditorët italianë. Investimet, informoi ai, do të përqendrohen kryesisht në sferat e përpunimit të drurit, të tekstileve, prodhimet artistike, prodhimet e karpenterisë dhe të metalit, për të cilat është e sigurtë që do të dalin me sukses, bazuar edhe në eksperiencat e bashkëpunimit të mëparshëm, ku deri në vitin 1996, numëroheshin 64 firma të huaja, italiane dhe gjermane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›