E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk kemi përcaktuar kandidatë,pavarësisht nga emrat e lakuar”

25/03/2005  Kryetari i degës së PS, Ndue Doda, beson në fitore

Dhe pse janë në fazë përgatitore, dega e Partisë Socialiste në Shkodër duket më e sigurtë se asnjëherë tjetër për të dalë me rezultate pozitive në zgjedhjet e ardhshme parlamentare edhe në kryeqendrën e Partisë Demokratike. Sipas një interviste për gazetën “Metropol” të kreut të PS, në Shkodër, Ndue Doda, mësohet se kësaj radhe pretendohet të fitohet bindshëm në këtë rreth, ndërsa ende nuk jan përzgjedhur kandidaturat, pavarësisht lakimit të emrave.

Cilat janë përgatitjet e degës së PS, Shkodër, për zgjedhjet e reja parlamentare?

Si të gjitha forcat politike, edhe ne kemi angazhimet tona për zgjedhjet elektorale të vitit 2005. Duke pasur parasysh vendimin e partisë sonë për krijimin e komiteteve zonale dhe përzgjedhjen e strukturave me moton “një anëtar, një votë”, ne po vazhdojmë ngritjen e komiteteve. Deri tani nga 7 komitete zonale, në 6 prej tyre, janë bërë zgjedhjet për drejtuesit e komiteteve. Mënyra e re e organizimit të PS do të jetë pikërisht në shërbim të zgjedhjeve të ardhshme, sepse këto komitete janë në përputhje me zonat zgjedhore dhe këto do të jenë kryesisht shtabet zgjedhore elektorale, pa anashkaluar edhe individë brenda partisë dhe jashtë saj. Kuptohet, fushata ka kohë që ka filluar në PS dhe ne po përpiqemi që gjatë kësaj periudhe të përzgjedhim, sipas vendimeve që kemi, kandidatët e ardhshëm. Ne kemi miratuar programet politike dhe organizative, jo vetëm deri në zgjedhje, por deri në fund të vitit.

Kandidaturat e degës suaj do të dalin nga strukturat e partisë apo nga shoqëria civile, dhe si i komentoni ju zërat se disa emra kandidatësh janë dërguar në Tiranë?

Ne, si forcë politike, nuk jemi fanatikë. Nuk është e thënë se kandidatët duhet të jenë vetëm nga stukturat e PS, por mund të jenë edhe nga shoqëria civile, edhe nga biznesi. Nuk diskutohet se edhe anëtarët e PS dhe drejtuesit e saj janë kandidatët kryesorë për konkurrim në zgjedhjet e ardhshme. Por kjo do të bëhet duke u nisur nga aftësitë, reputacioni dhe vlerat, në mënyrë që kandidati të jetë sa më i kompletuar. Deri tani, ne nuk kemi përcaktuar kandidatë, pavarësisht nga emrat që lakohen. Arsyeja e mospërcaktimit të tanishëm është se, në radhë të parë miratohen udhëzimet përkatëse për mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve dhe pastaj kalohet në zgjedhjen e kandidatit. Për këtë procedurë, së shpejti do të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues, ku do të miratohen edhe rregullat e përzgjedhjes së kandidatëve. Kuptohet që edhe baza jep mendimin e saj dhe qendra pas marrjes së vendimit përcakton kandidatët e mundshëm. Deri tani nuk është dërguar asnjë emër, sepse zbatojmë normat e statutit dhe rregulloret e vendosura nga PS. Dua të theksoj se konkurrimi nuk është vetëm dëshirë, por duhet të plotësohen jo vetëm kriteret, por edhe mbështetja e zonës ku do të konkurrojnë kandidatët.

Cilat janë synimet e degës së PS në rrethin e Shkodrës, a do të fitoni përsëri ndonjë zonë në këtë rreth?

Si forcë politike, mendoj se do të jemi përsëri fitues në shkallë Kombëtare, fitore kjo që do të vijë për punën e mirë që është bërë deri tani dhe që e shohin gjithë shqiptarët në rrugë, ujësjellësa e kudo. Besoj se kësaj here edhe Shkodra, në këtë legjislaturë, do të ketë deputetë socialistë më shumë. Kam besim se do të shtohet numri i deputetëve për arsyen dhe faktin që PD në Shkodër është konsumuar në qeverisje. Nuk gjykoj shifrat, por në të gjitha zonat do të jemi shumica dhe kjo jo vetëm për Shkodrën, po për të gjithë Qarkun.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›