E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia i troket në derë, arrestohet Viktor Mato

25/03/2005  Vjedhje dhe abuzime në Bashkinë e Himarës, pranga ish-kryetarit dhe ish-financierit

VLORË - Policia e Vlorës arrestoi dje, në mëngjes, me urdhër të Prokurorisë së Rrethit, ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, Viktor Mato, si dhe ish-shefin e financës së kësaj bashkie, Thoma Çalo. Prangosja e Matos u bë në banesën e tij.

Arrestimi i Viktor Matos, ish-kryetar i Bashkisë së Himarës, në vitet 2000-2003, dhe ish-shefit të Drejtorisë së Financave në këtë bashki, Thoma Çalo, u bë me urdhër të organit të akuzës në Vlorë.

Policia e këtij qyteti kreu ekzekutimin e urdhërarresteve, ndërsa dy të dyshuarit ishin nën vëzhgim dhe ruajtje prej disa javësh.

Burime zyrtare të Prokurorisë së Vlorës bënë të ditur se dy të arrestuarit akuzohen për "vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim". Nga Prokuroria thuhet se, mbi dy të arrestuarit, rëndojnë katër akuza, që lidhen me dyshimet për abuzime financiare në detyrë.

Akuzat dhe dyshimet për ish-zyrtarët

“Të arrestuarit do të përballen me akuzat e shkeljeve në detyrë duke abuzuar me fondet publike, përvetësim të këtyre fondeve në sektorin qiradhënie, abuzim në shitjen e trojeve në zonën e Himarës dhe favorizim të kompanive të ndryshme në dhënien e lejeve të ndërtimit”, sqaron një burim i Prokurorisë.

Dy ish-drejtuesit e pushtetit vendor të Himarës akuzohen se kanë kryer veprën penale gjatë periudhës së viteve 2000-2003, kur ata ishin në detyrë. Nëse akuzat e ngritura nga Prokuroria e Vlorës vërtetohen, sipas ligjit, dy ish-zyrtarët e Bashkisë së Himarës rrezikojnë 10 vjet burg. Prokuroria e Vlorës deklaron se do të vazhdojë luftën e saj kundër korrupsionit në të gjitha hallkat. Operacioni u bë dje në orët e para të mëngjesit. Policia ka trokitur në banesat e të akuzuarve për t’i dërguar më pas në qelitë e paraburgimit. Ish-kryebashkiaku Mato ka fituar zgjedhjet vendore në vitin 2001 në siglën e PS dhe ka drejtuar tre vjet. Edhe Thomai për tre vjet me radhë ka qenë shefi i financës së Himarës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›