E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fitore e PD në zgjedhje, zero në përqindje për PS”

25/03/2005  Kryetari i degës së PD, Shkodër, Lorenc Luku, optimist për rezultatin

SHKODËR – Dega e Partisë Demokratike në Shkodër është e bindur se po të zhvillohen zgjedhje të ndershme, do të fitojë bindshëm në këtë rreth. Kjo vjen jo vetëm nga puna e bërë prej saj, por edhe nga elektorati, që ka ditur gjithmonë të tregojë se Shkodra ka qenë dhe mbetet mbështetësja kryesore e kësaj partie, thotë në një intervistë për gazetën “Metropol”, kryetari i degës së PD, Lorenc Luka.

Sipas tij, suksesi i kësaj fushate konsiston në përmirësimet që iu bënë përfaqësimit në vlera intelektuale e arritur kjo në bashkëpunimin që kemi krijuar me Universitetin, me OJF e shoqërinë civile.

Cila është ecuria e përgatitjeve të degës së PD në Shkodër, për zgjedhjet e reja parlamentare?

Partia Demokratike, dega Shkodër, ka përmbushur me sukses fushatën zgjedhore në parti në të gjitha nivelet. Në këtë fushatë jemi orientuar drejt hapjes dhe krijimit të kushteve të favorshme ndaj të gjitha grupeve shoqërore, ndaj të gjithë atyre që për një arsye apo për një tjetër nuk kishin qenë të anëtarësuar në PD, në mënyrë të tillë që të gjithë të jenë të barabartë në këtë garë. Suksesi i kësaj fushate konsiston në përmirësimet që iu bënë përfaqësimit në vlera intelektuale e arritur kjo në bashkëpunimin që kemi krijuar me Universitetin, me OJF e shoqërinë civile. Ky bashkëpunim ka ndikuar ndjeshëm për thithjen e ideve dhe mendimeve të kualifikuara për përmirësimet dhe ndryshimet që kërkon rajoni i Shkodrës. Pra, te PD, intelektualët kanë gjetur dyert e hapura për të shprehur mendimet e tyre e për të debatuar në mënyrë konstruktive. Një rol të rëndësishëm në këtë moment, ka luajtur edhe lidhja e gruas demokrate, e vlerësuar nga ana jonë si një forcë aktive në të gjitha proceset, si dhe forumi rinor demokrat, që kanë përgatitur projekte dhe programe pune, për të dhënë edhe ata kontributin e tyre në fushatën elektorale si pjesë organike e PD.

Keni hartuar ndonjë program konkret?

Sigurisht. Dega e PD Shkodër po përgatit një program të detajuar, të konsultuar me të gjithë aktorët aktiv të qytetit tonë, Universitet, biznes, OJF etj., program ky në përputhje me çdo zonë elektorale, sipas profileve dhe ndërhyrjeve që ato kërkojnë, në përputhje kjo edhe me strategjitë e zhvillimit, e ndarë në dy nivele, emergjente dhe të prespektivës. Me këto argumente, ne besojmë se do të prekim t,helbin e problemit dhe do t’i japim një zgjidhje shumë të shpejtë ndryshimit të situatës në rajon. Të gjithë jemi të bindur se Shkodra ka resurse intelektuale të afta për të përmbushur me sukses përgjegjësinë e tyre për kthimin e Shkodrës në vlerat dhe parametrat që ka pasur dhe i meriton. Pas këtij procesi, ne konstatojmë me kënaqësi, se është ndërtuar një bazament i një fushate elektorale moderne, që na krijon besimin e një fitoreje në përqindje të lartë, e cila do t’i sjellë vendit stabilitet me anë të një qeverisje të denjë për t’u përballur me sfidat, që kërkon koha dhe ajo që është më e rëndësishmja, për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë dhe për ta përgatitur atë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

A ka dërguar dega e Shkodrës propozime për kandidatura dhe a janë përzgjedhur kandidatët?

Tani për tani, jemi në fazën e grumbullimit të kandidaturave, të cilat më pas do t’i nënshtrohen një vlerësimi nga kryesia e PD-së dhe Këshilli Kombëtar. PD në këto zgjedhje do të përfaqësohet me kandidatët më të mirë në përputhje me të gjithë parametrat që kërkohen nga begraundi intelektual apo edhe moral, pra kandidatë që ndikojnë dhe janë në përputhje me vlerat e Shkodrës, qofshin këta nga strukturat e partisë apo nga shoqëria civile.

Deputetët e deritanishëm a do të konkurrojnë?

Jemi duke vlerësuar punën dhe kontributin e deputetëve të deritanishëm dhe po kërkojmë, siç e thashë edhe më sipër, të evidentojmë elementët e kërkuar si dhe mjaft e rëndësishme është përshtatja e tyre me zonën elektorale ku do të konkurrojnë, pasi këtë radhë kanë ndryshuar edhe shtrirjet e zonave.

A mendoni se do t’i fitoni të gjitha zonat kësaj here?

Besoj se kjo pyetje e ka një përgjigje, dhe përgjigjen e ka dhënë gjithnjë elektorati shkodran me votën e tij në favor të PD, e vlerësuar kjo si e vetmja shpresë për të sjellë ndryshimet, si e vetmja forcë politike, e cila do të realizojë për të gjithë shqiptarët një jetë më të mirë dhe ëndrrën e tyre evropiane, pavarësisht se në zgjedhjet e dhunuara, në ndonjë zonë rezultati u grabit, po realiteti tregoi se ato zona vullnetin e tyre politik e kanë shprehur gjithnjë në favor të PD. Prandaj, kërkojmë një proces zgjedhor të qetë, korrekt dhe të ndershëm. Një proces i tillë ka qenë një ndër kushtet kryesore dhe një nga kërkesat e përhershme që dega e Shkodrës ia ka kërkuar institucioneve ndërkombëtare me anë të monitorimit në çdo nivel. Me sa duket, në këtë situatë që po afron, strategjia e PS-së po orientohet drejt një forme tjetër absolutisht të dënueshme nga ana jonë, atë të blerjes së votës. Por unë jam i bindur në përgjigjen që do të japë elektorati ynë: një fitore e PD në të gjitha zonat elektorale, që do të thotë zero në përqindje për PS. Këtë e them mbi bazën e vlerësimeve të situatës aktuale të testimeve, ku me entuziazëm shohim interesin që paraqesin votuesit për një pjesëmarrje në votime, për një ndryshim në qeverisjen qendrore, si një nevojë jetike për të larguar këtë fatkeqësi për të gjthë shqiptarët, të cilët janë ngopur nga gënjeshtrat, korrupsioni, papërgjegjshmëria. Përveç kësaj jam i bindur se edhe shumë socialistë, tashmë e kanë kuptuar nevojën për ndryshim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›