E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmenët mashtrues, truri i rrjetit nga Kroacia

Dy të arrestuarit e operacionit “Rruga pa sukses” njihen me akuzat nga prokuroria

Prokuroria shqiptare ka zbuluar “trurin” e grupit kriminal që mashtronte qindra shtetas shqiptarë në një skemë të mirëfilltë piramidale, duke u marrë nga 2290 euro, me pretendimin se nëse sillnin tre persona të tjerë, do të merrnin një përqindje të caktuar. Nga hetimet e njësisë Task-Forcë në kryeqytet është zbuluar se dy kosovarët, Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli, bashkëpunonin me një shtetas kroat, i cili është ndaluar në vendlindje me të njëjtën akuzë që janë arrestuar edhe dy kosovarët në Shqipëri. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës u ka njoftuar dje akuzën Kyçykut dhe Haxhiollit, të akuzuar për ngritjen e skemës piramidale. Në prani të avokatëve ata janë njohur me akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda më shumë se një herë” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale me pasoja të rënda”. Sipas burimeve nga Task-Forca, dy të akuzuarit kanë mbajtur qëndrim mohues, duke pretenduar se kanë kryer një veprimtari të ligjshme dhe disa personave u janë kthyer mbrapsht paratë që kishin depozituar. Prokuroria shqiptare thotë se skema mashtruese e krijuar nga këta persona po vazhdon aktivitetin në Maqedoni, por vihet re se nuk ka pasur anëtarësime të reja, por vetëm takime dhe konferenca, në të cilat jepen leksionet e biznesit më tepër për të dhënë idenë që veprimtaria e subjektit vazhdon edhe pas arrestimit të dy personave në Tiranë. Grupi hetimor deklaron se hetimet janë drejt përfundimisht.

Mësohet se krahas këtyre personave, policia dhe prokuroria po bashkëpunojnë për vënien para përgjegjësisë ligjore të disa personave të tjerë, të cilët dyshohet se e organizonin këtë skemë mashtrimi në Shqipëri. Në kërkim është shpallur një i tretë, ndërsa mund të hetohen në gjendje të lirë edhe dhjetëra persona që kanë “mashtruar” shokët e kolegët për këtë, duke u premtuar të derdhnin 2290 euro për t’u pasuruar pa punuar. Organizatorët e këtij grupi kanë mashtruar 400 qytetarë shqiptarë, duke i rekrutuar sipas një skeme mashtruese me pretekstin e trajnimeve në fushën e biznesit. Policia e Tiranës tha se Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli u kërkonin viktimave të mashtrimit të tyre të paguanin nga 2290 euro për t’u anëtarësuar në këtë shoqëri, me premtimin se do të pasuroheshin vetëm nëpërmjet rekrutimit të tre qytetarëve të tjerë nga secili prej tyre. Këtë aktivitet të paligjshëm këta shtetas e kanë kryer në Shqipëri si përfaqësues të shoqërive “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, me seli në Shkup, Maqedoni. Policia thotë se Kyçyku dhe Haxhiolli janë arrestuar disa muaj më parë, para fillimit të një seminari të radhës në një nga lokalet e Tiranës. Agjentë të policisë i vëzhgonin prej disa muajsh të dyshuarit me të gjitha metodat speciale të hetimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›