Nishani: Të dënuarit të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, gjatë inaugurimit të një qendre për të miturit me probleme ligjore në Kavajë, ka folur edhe për projekte dhe programe për rehabilitimin e të dënuarve në burgje. Ai tha se, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, po synohet që të dënuarit të përfshihen edhe në skemën e sigurimeve shëndetësore. “Bashkëpunimi që Ministria e Drejtësisë ka vendosur tashmë me Ministrinë e Arsimit në implementimin e programeve dhe projekteve dhe drejtpërdrejta është një hap dhe do konsolidohet edhe më tej. Projektet dhe programet, që Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me Ministrinë e Punës dhe të çështjeve Sociale, kanë aplikuar për angazhimin e tyre në kurse profesionalizimi janë mjaft efikas. Duhen vlerësuar edhe përpjekjet dhe negociatat që Ministria e Drejtësisë po kryhen me Ministrinë e Financave për përfshirjen në sistemin e sigurimeve shëndetësore të të gjithë personave që vuajnë dënimin në burgje”, tha Nishani, duke shtuar se Shërbimi i Provës ka sjellë një standard të ri, jo vetëm në mentalitet, por edhe në angazhimin për rehabilitimin e personave.
#