Hoxha, në pyetje ish-kreu i SHIK-ut në Vain të Lezhës
Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda kanë marrë konfirmimin për pyetjen e ish-kreut të SHIK-ut të Lezhës, Martin Miraj. Seanca e pyetjeve do të zhvillohet në datën tetë korrik në qytetin e Romës në Itali dhe të pranishëm do të jenë përfaqësues të ambasadës shqiptare dhe përfaqësues të prokurorisë, gjykatës dhe avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Akuza deklaron se Miraj njihet si personi që ka pasur dijeni rreth veprimtarisë së bazës së SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku mendohet se janë torturuar Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli në muajin tetor të vitit 1995. Në këtë kohë, kryetar i SHIK-ut në Lezhë ka qenë pikërisht Miraj, i cili mund të tregojë mjaft të dhëna të dobishme për procesin gjyqësor që po zhvillohet aktualisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Procesi është në fazën e fundit dhe duhet të pyeten dëshmitarët që janë me rëndësi për procesin. Krahas Mirajt, i cili mendohet se ka pasur “çelësin” e godinës në Vain të Lezhës, në pyetje do të merret edhe i dëmtuari Avdyl Loshaj, i cili i ka shpëtuar për mrekulli dhunimit në vitin 1995, teksa është arratisur nga dritarja e banjës në godinën në Vain, për të shkuar më pas në Holandë, ku dhe është rezident. Gjatë kontakteve me gjykatën dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda shqiptare, Loshaj nuk ka pranuar të pyetet në vendin tonë, pasi ka deklaruar se ende ka frikë dhe në këtë vend i rrezikohej jeta. Ai ka deklaruar se është i gatshëm të pyetet në vendlindjen e tij, në qytetit e Deçanit në Kosovë.
Ndërkohë, dy gjykata italiane ekzekutuan pak ditë më parë letër-porositë e drejtësisë shqiptare në pyetjen e tre dëshmitarëve për llogari të gjykimit të dosjes “Remzi Hoxha” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Pyetja e dëshmitarëve Riza Shehu dhe Flutura e Gjok Hasanaj u realizua në Itali, për shkak të banimit të tyre në këtë vend. Sipas burimeve, më 23 qershor në Gjykatën e Trevizos, Itali, është realizuar pyetja e dëshmitarit Riza Shehu. Dy ditë më pas, në Gjykatën e Pistoias është mundësuar pyetja e dëshmitarëve Flutura e Gjok Hasanaj. Dëshmitarët janë pyetur rreth dijenive që kanë për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në vitin 1995, ngjarje për të cilën akuzohen tre ish-funksionarë të shërbimit sekret. Bëhet e ditur se nga pala shqiptare të pranishëm në seancat e ekzekutimit të letër-porosive kanë qenë gjyqtari kryesues i kësaj dosjeje te Krimet e Rënda, Gurali Brahimllari, si dhe përfaqësuesi i akuzës në çështje, prokurori Xhevat Hana. Pyetjet e palëve në gjykimin në Shqipëri u janë drejtuar dëshmitarëve Shehu dhe Hasanaj nga ana e gjykatësve italianë. Bëhet e ditur se dëshmitarët kanë mbajtur të njëjtën “linjë” me deklarimet e dhëna prej tyre në fazën e hetimeve paraprake. Mësohet se në vitin 1995, dëshmitari Shehu ka qenë punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar. Ndërsa dy dëshmitarët Hasanaj kanë qenë pjesë e personelit të një baze sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku sipas prokurorisë dyshohet të jetë torturuar dhe më pas zhdukur Remzi Hoxha. Nga ana tjetër, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka kërkuar Gjykatës së Shkupit në Maqedoni një vendim gjyqësor, ku biznesmeni shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në vitin 2005, është shpallur i vdekur.
#